E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule, Kukan: Shqiptarët duan BE-në

Në Tiranë po zhvillohet konferenca “Just BE”, ku Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, dhe kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan, do të jenë folësit kryesorë.
Fule dhe Kukan mbajtën fjalim para mediave, shoqërisë civile dhe biznesit, mbi aspektet e ndryshme të integrimit europian.

Fule: Politikanët mos e kenë vetëm pikësynim zgjedhjet, por edhe Europën

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, në fjalën e tij ka thënë se vëmendja e klasës politike nuk duhet të përqendrohet vetëm në zgjedhjet e ardhshme, por duhet të mbajë Evropën si pjesë e çështjeve të rëndësishme dhe asgjë mos lihet jashtë.

“S’jemi këtu për të bërë fushatë zgjedhore dhe ne respektojmë politikanet dhe këta të fundit duhet të respektojnë rezultate e zgjedhjeve. Ky takim është një takim debati, për të vetmen perspektivë, që sesi ta mbajmë fokusin ke Europa”, tha Fule.

Kukan: Politika të lërë konfliktet partiake, shqiptarët duan BE-në

Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan, ka thënë në fjalën e tij se populli shqiptar i ka sytë drejt integrimit dhe për këtë politika duhet të lerë jashtë konfliktet dhe të vendosë interesat kombëtare mbi gjithçka.
"Vjet Shqipëria festoi 100-vjetorin e Pavarësisë, isha pjesëmarrës në këtë aktivitet dhe jam ndjerë shumë mirë. Pashë që shumë shqiptarë janë krenar për të shkuarën, por sytë i kanë drejt së ardhmes. Shqipëria ka nevojë për praninë evropiane, dhe e kam fjalën për vlerat evropiane. Duhet një sistem demokratik sa më i përkryer. Zënkat e brendshme dhe politikat partiake s’mund të ndërpresin këtë proces",- tha Kukan.

Ai ka kërkuar nga politika shqiptare që për të qenë pjesë e BE-së duhet që vendi të ketë institucione demokratike dhe të lihen anash konfliktet mes grupeve politike.
“Parlamentet kanë një rol të rëndësishëm në formulimin e interesave kombëtare në raport me BE-në, Parlamenti ka detyrë që të mbledhë interesat kombëtare dhe kjo është bërë një detyrë e vështirë në Ballkan. Mbledhja e këtyre interesave ka bërë që grupet të hyjnë në konflikt më njëra-tjetrën. Shoqëria civile është element thelbësor i Parlamentit. Bëjeni Parlamentin një vend debati, ku të shpjegohet çdo lloj çështje dhe qytetarët të shohin iniciativat politike, dhe jo një vend konflikti. Ju duhet një vend me institucione të forta politike dhe kjo iniciativë mund të arrihet nga politikanët. Parlamenti Europian do një Shqipëri me institucione demokratike dhe nëse nuk realizohen tani para zgjedhjeve, këto reforma të arrihen pas zgjedhjeve”, u shpreh Kukan.

Sequi: Integrimi do të thotë shndërrim, transformim

Ndërsa ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi e cili e nisi fjalën e tij në gjuhën shqipe është shprehur se integrimi për Shqipërinë do të thotë transformim të saj.
Sipas tij, Europa është shpresë e madhe se përfaqëson të drejtat, sistemin e disa vlerave dhe rregullave dhe të gjithë ata të cilët ndajnë këto vlera janë pjesë e këtij projekti.
“Të gjithë ata që ndajnë këto rregulla janë pjesë e të njëjtit projekt, këta janë qytetarë të BE-së. Kjo është një ftesë që të themi se jemi evropianë dhe të jemi të angazhuar për këto vlera”, ka shtuar ambasadori Sequi./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›