Fule: Maqedonia në rrugë të mbarë për negociatat

Eurokomisioneri për zgjerim, Stefan Fule deklaroi se Maqedonia është në rrugë të mbarë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Shoh perspektivë deri në fund të vitit që Komisioni Evropian të fillojë negociata për bashkëngjitje drejt BE-së me edhe disa vende nga Ballkani Perëndimor, për shembull me Maqedoninë, ku pati zgjedhje të suksesshme parlamentare”, deklaroi sot në konferencën për shtyp në Bruksel, eurokomisioneri për zgjerim, Stefan Fule.
Ai vlerësoi se “tani shfaqet momenti për Maqedoninë” dhe tha se pret që Athina dhe Shkupi ta shfrytëzojnë atë për të arritur zgjidhje, siç rekomandon BE-ja.
“KE-ja i përfundoi sot negociatat me Kroacinë, puna është kryer”, shtoi Fule. Tani vendet e BE-së duhet të vendosin nëse mundet që negociatat të llogariten të përfunduara dhe të nënshkruhet marrëveshja për inkuadrim”, theksoi eurokomisioneri.
Fule theksoi se rruga e Kroacisë drejt BE-së ka filluar që në tetor të vitit 2005, dhe për atë kohë vendi ka kryer ndryshime serioze drejt sigurimit të sundimit të së drejtës dhe drejt ekonomisë së tregut.