E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule: Mbyllni reformat që të merrni statusin

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për arritjet e Shqipërisë në procesin e reformave, bazuar në 12 prioritetet e kërkuara nga Komisioni Evropian dhe për hapat që duhen ndërmarrë në kohën e mbetur, me qëllim që të fitohet statusi i vendit kandidat në BE.

Komisioneri Füle, pasi vlerësoi në detaje situatën e tanishme sa i përket realizimit të reformave, garantoi Presidentin Nishani për gatishmërinë e Komisionit Evropian për t’i ofruar Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Megjithatë, ai kërkoi që të përfundohen reformat e kërkuara për realizimin e masës kritike me fokus në mënyrë të veçantë te reformave parlamentare, ligji për kufizimin e imunitetit dhe garantimi i një sistemi gjyqësor të pavarur, i cili të garantojë më shumë efektivitet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Presidenti Nishani, e siguroi komisionerin Füle, se ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe vullneti politik, institucional dhe qytetar që Shqipëria të përmbushë rekomandimet e mbetura për të fituar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Kryetari i Shtetit u shpreh se do të angazhohet institucionalisht në reformimin e sistemit gjyqësor dhe se do të përcjellë vazhdimisht te klasa politike dhe populli shqiptar mesazhet e gjithëpërfshirëse dhe të nevojës për të gjetur konsensusin për çështje madhore në interes të integrimit evropian, që përbën gjithashtu vullnetin e palëkundur të popullit shqiptar. /Start/

                                                                                             2012-09-18 15:46
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›