E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule Permbushni kushtet ndryshe nuk keni asgje

(UPDATE) Një ditë më parë Parlamenti Europian i kushtoi një orë debat situatës së krijuar në Shqipëri. Euroarparlamentarët kërkuan njëzëri angazhimin e politikës shqiptare për përgatitjen e zgjedhjeve lokale, si dhe rivendosjen e dialogut. Komisioneri për zgjerimin Stefan Fule theksoi se zgjidhja e krizës duhet të vijë nga brenda Shqipërisë. Një ditë ma pas, për uebsajtin informativ të BE-së, Euroactiv, Fule është shprehur se rruga qorre e politikës shqiptare, dhe dobësimi i institucioneve kombëtare duhet të marr fund.  “Tonet në Tiranë duhet të ndryshojnë. Kriza politike duhet të zgjidhet dhe kjo është përgjegjësi e përbashkët e liderëve politikë në Shqipëri”, u shpreh Fule, referuar kryeministrit Berisha dhe liderit socialist Edi Rama.

Duke iu referuar vizitave të Lajcak në Shqipëri, në dobi të dialogut politik, uebsajti shkruan se ato ishin të pafrytshme. Duke cituar burime nga diplomatët  europianë, Euroactiv thotë se Lajcak i ka kërkuar të dy liderëve, Berishës dhe Ramës se duhet të ftojnë bashkërisht Fulen në Shqipëri dhe të bëjnë të pamundurën për të zgjidhur ngërcin. Në fakt, takimi i dy liderëve shqiptarë në Strasburg, me europarlamentarët njihet tashmë në qarqet europiane si ‘diplomacia e Krokodilit”, dhe është quajtur një dështim diplomatik. Megjithatë Fule shpjegon se BE nuk lëkundet nga qëndrimi i saj.

“Nuk ka hapësirë për “qershinë mbi tortë”. Shqipëria duhet të përmbushë të gjitha kriteret e Kopenhagenit, duke përfshirë dialogun politik dhe funksionimin e parlamentit, ose asgjë”, është shprehur Fule. Duke iu referuar shprehjes ‘qershia mbi tortë”, një zyrtar i Bashkimit Europian ka thënë për Euroactiv se ekzekutivi i BE-së ishte i vendosur jashtëzakonisht të mos lejojë një "tolerim" të kritereve të pranimit. Kjo nuk është e vërtetë vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e tjera kandidate të cilat mund të presin që Brukseli " të mbyllë një sy" mbi kriteret për pranimin në BE për shkak të ngjarjeve si revolucionet domino në Mesdhe.

Anisa Braho Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 16 shkurt 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›