E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Kujdes rreziku nga kriza nuk ka ikur

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, iu bëri thirrje të gjithë aktorëve ekonomike të tregohen të kujdesshëm pasi vendi nuk e ka kaluar plotësisht rrezikun e krizës ekonomike globale.


Në një takim me përfaësuesit e bizneseve kryesore që operojnë në Shqipëri, Fullani tha se BSH e sheh të ardhmen e vendit me optimizëm por gjithsesi është e nevojshme që të tregohet kujdes. "Banka e Shqipërisë e shikon të ardhmen e vendit me optimizëm të kujdesshëm.


Them me optimizëm sepse, me gjithë goditjen e madhe që pësuam, stabiliteti makroekonomik dhe financiar i vendit nuk u prekën. Për më tepër, rivendosja e besimit në sistemin bankar i hap rrugën rikuperimit të procesit të kreditimit dhe mbështetjes së ekonomisë me fonde. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë mbetet ende në pozita kujdesi sepse rreziqet financiare mbi ekonominë nuk janë tejkaluar plotësisht.


Sistemi bankar ka ende mungesa likuiditeti ndërsa ekonomia botërore mbetet e dobët. Për këtë arsye, zhvillimi i ardhshëm ekonomik do të varet si nga puna jonë e përbashkët, ashtu edhe nga ecuria e tregjeve ekonomike dhe financiare botërore", - tha Fullani.


Sipas Bankë së Shqipërisë, rritja e konsumit në ekonomitë e vogla u shoqërua me rritjen e borxheve në bilancet e bizneseve dhe të familjeve shqiptare, si dhe me mbi investime në sektorë të caktuar.


Në lidhje me këtë Fullani theksoi se është e rëndësishme që të gjithë konsumatorët familjarë të jenë realistë në planet e tyre duke bërë një barazim midis të ardhurave dhe shpenzimeve. "Duke qëndruar te konsumi familjar, Banka e Shqipërisë fton të gjithë agjentët ekonomikë të jenë më largpamës dhe realistë në planet e tyre të konsumit dhe të kursimit.


Kjo ftesë nuk nënkupton tkurrjen e konsumit dhe as ndryshimin e preferencave për të, por thjesht vendosjen e tij në kontekstin e planeve afatgjata që barazojnë të ardhurat me shpenzimet në nivel familjar.


Kredimarrësit duhet të jenë të kujdesshëm edhe në monedhën e marrjes së kredisë. Kjo do të thotë që mbrojtja më e mirë për ta do të ishte përputhja e monedhës në të cilën përftohet kredia me monedhën në të cilën kanë të ardhurat", - tha ai.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›