E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa bindëse është opozita?!



Kanë kaluar afro 3 muaj nga mbledhja e Parlamentit dhe opozita vazhdon të qëndrojë jashtë tij, duke sjellë për pasojë një moment ngërçi për ecurinë e punimeve dhe axhendën e këtij institucioni. Qëndrimi tashmë i ngurtësuar i liderit të opozitës dhe shumicës së grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka bërë që debati politik në vend të marrë një formë “përplasjeje guerile”, në rrugë apo sheshe dhe jo në institucionet që janë ndërtuar pikërisht për të qenë arena e këtij debati. Protesta e fundit e opozitës, e cila qoftë nga mënyra se si ishte organizuar, por edhe nga ligjëratat e politikanëve të majtë që iu drejtuan turmës së mbledhur në shesh, ishte shpalosja më e qartë e një radikalizimi në rritje që pa dyshim mbart rreziqe të mëdha për stabilitetin e vendit dhe për pasojë edhe procesin integrues. Protesta e opozitës duket se do të përshkallëzojë më tepër aksionin politik të saj dhe pa dyshim e bën akoma më të vështirë gjetjen e një pike kthese për të dalë nga kjo situatë. Në një kohë kur palët vazhdojnë të ngurtësojnë çdo ditë e më shumë qëndrimet e tyre ekstremisht të kundërta dhe situata bëhet më e nxehtë, të gjithë shtrojnë pyetjen se deri kur do të vazhdojë ky konfrontim. Lideri i opozitës në fjalimin e mbajtur në ditën e parë të protestës ishte me i ashpër se kurrë dhe madje në shumë raste, lëshoi deklarata të rrezikshme, që në thelb kishin përshkallëzimin e qëndrimit deri në përdorimin e forcës për të rrëzuar qeverinë. Protesta për të drejtën e votës dhe për transparencën e saj është e drejta më themelore e çdo qytetari shqiptar dhe si e tillë mund të ushtrohet në çdo moment. Megjithatë, në rastin konkret duket se opozita has vështirësi për të bindur opinionin publik, brenda dhe jashtë vendit, se kauza që ka zgjedhur për të protestuar, qëndron vërtet. Janë jo pak ata që e shikojnë këtë aksion politik më shumë si një rrugë e nisur në kohën kur lidershipit të Partisë Socialiste i duhej për të rifituar besimin e elektoratit të majtë të zemëruar dhe të zhgënjyer nga rezultati i zgjedhjeve të qershorit. Nëse kjo kategori përfshin jo vetëm të djathtët, por edhe më gjerë, atëherë opozita duhet së pari të bindë se kërkesa për hapjen e kutive është legjitime dhe e arsyeshme apo jo. Në fakt, bëhet fjalë për t’i rihapur për herë të dytë apo të tretë kutitë e votimit, pasi ato u hapën një herë gjatë procesit. Partia Socialiste, e cila ishte hartuesja kryesore e gjithë infrastrukturës së zgjedhjeve, kishte përfaqësuesit e saj gjatë gjithë procesit, që nga momenti i hartimit të Kodit dhe deri te numërimi i kutive. Madje, ishte dakord edhe për caktimin e arbitrit, që në rastin e zgjedhjeve ishte Kolegji Zgjedhor. Opozita ishte dakord, madje e mbështeti përzgjedhjen e Presidentit të Republikës në lidhje me gjyqtarët që përbënë trupën gjykuese të Kolegjit Zgjedhor. Në një kohë kur mijëra përfaqësues të forcës kryesore opozitare firmosën atë rezultat që doli nga zgjedhjet e qershorit, kur Kolegji Zgjedhor mori ato vendime, që i hapën rrugë rezultatit përfundimtar dhe kur vëzhguesit ndërkombëtarë nga dy institucionet më të specializuara në fushën e zgjedhjeve dhe demokracisë pranuan se zgjedhjet ishin të lira dhe që plotësuan pjesën më të madhe të standardeve, liderëve të opozitës do t’iu duhet më shumë sesa përsëritja e kërkesës për hapjen e kutive të votimit për të qenë bindës. Pikërisht për këto dhe për shumë arsye të tjera që nisin që nga sjellja e liderit të opozitës pas zgjedhjeve në raport me statutin e partisë së tij dhe deri te përjashtimi i atyre që mendojnë ndryshe për bojkotin brenda partisë, e zhvlerësojnë kauzën për të cilën proteston opozita. Askush nuk duhet të marrë për bazë numrin e protestuesve në shesh për të dalë në një përfundim të kundërt, pasi është e sigurt se Partia Socialiste mund të sillte edhe pesëfishin e atyre njerëzve, ndoshta dhe më shumë, pasi mbështetja elektorale e saj është më e madhe sesa turma e ditës së premte që ndodhej në shesh. Loja me numrat e protestuesve është një zakon i vjetër i politikanëve shqiptarë që, me sa duket, nuk ka lënë pa infektuar edhe ata që promovojnë një mënyrë të re të të bërit politikë. Në këtë vendin tonë të vogël ka aq shumë gjëra për të cilat mund të protestojmë, saqë nuk do të na dilnin as sheshet, as rrugët për ta bërë këtë. Madje edhe vetë opozita ka çështje shumë më bindëse dhe të prekshme për qytetarët, për të cilat mund t’i kërkojë llogari qeverisë dhe mazhorancës. Vonesa në liberalizimin e vizave, varfëria, papunësia apo korrupsioni janë çështje që ndikojnë çdo ditë jetën e shqiptarëve. Opozita duhet të këmbëngulë në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe të ofrojë alternativën e saj të zgjidhjes, në vend që të radikalizojë situatën për një çështje që duket se e ka të vështirë të jetë bindëse. Ndoshta opinioni publik vendas dhe i huaj do t’i jepte më shumë të drejtë z. Rama, nëse në protestë do të kërkonte llogari për hetimet për vrasjen e deputetit Xhindi, por në atë protestë nuk u tha asnjë fjalë për këtë çështje. Qytetarët e këtij vendi nuk do t’ia falnin asnjë krahu politik asnjë pengesë apo zvarritje që do të shtynte më shumë liberalizimin e vizave dhe do t’i mbante ata ende si të vetmit në këtë rajon që e kanë ende mollë të ndaluar këtë të fundit, ndaj dhe përgjegjësia në këtë rast është shumë më e madhe se në çdo moment tjetër të historisë postkomuniste të vendit. Të paktën një herë të vetme, klasa politike shqiptare duhet të tregojë pjekurinë e saj, duke menduar për hapësirat e një kompromisi që do të normalizonte situatën. Çdo hap në drejtimin e gabuar për të kanalizuar zemërimin e protestuesve drejt përdorimit të çdo lloj force apo dhune kundër institucioneve, do të ishte një hap fatal, së pari për vetë opozitën, por më shumë për vendin, në një moment mjaft të rëndësishëm për proceset integruese.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›