E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kunati i Bashës ishte administrator në momentin e shitjes në Qipro

Nga Tema

Erion Isufi, kunati i ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha, reagoi dje përmes një e-mail-i duke deklaruar se mediat po shpifin ndaj tij. Ai deklaroi se ka qenë administrator në firmat që ka ngritur Fazlliç dhe se këto firma nuk kanë kryer asnjë aktivitet ekonomik.

Në këtë mënyrë, Erioni thjesht ka pohuar ato çfarë janë shkruar në media, sepse askush nuk ka deklaruar se ai ishte pronar apo ortak me Fazlliç, por se ishte administrator. Gjithashtu, problemi që kanë ngritur këto media është se njëra prej këtyre firmave, pa kryer asnjë aktivitet ekonomik dhe pa asnjë aset, është shitur për 1.75 milionë euro. Dhe faktin që firmat nuk kanë kryer asnjë aktivitet e pohon vetë Isufi në deklaratën e tij. “Si reagim ndaj shpifjeve dhe spekulimeve ndaj meje në disa media, lëshoj këtë deklaratë për të informuar opinionin publik. Unë nuk kam ushtruar asnjë aktivitet ekonomik të përbashkët me z. Fazlliç, dhe nuk kam qenë asnjëherë partner, dhe/ose ortak me z. Fazlliç.

Kam qenë i punësuar si administrator pranë kompanisë “SRF Developments”, e cila nuk ka kryer asnjë aktivitet ekonomik gjatë kohës që unë kam ushtruar këtë detyrë. Dy kompanitë e tjera, “Virtu Acquisitions” dhe “Crown Acquisitions”, nuk janë bërë asnjëherë aktive dhe nuk kanë kryer asnjë aktivitet ekonomik gjatë kohës që unë kam qenë administrator”, - thuhet në deklaratën e Isufit.

Mashtrimi

Por kunati i zotit Basha thotë në e-mail-in e tij se është larguar si administrator i firmës “Crown Acquisitions”, që u shit në Qipro, shumë përpara këtij akti. Ai deklaron se largimi është bërë më 30 dhjetor, çka nuk është e vërtetë, për shkak se, siç e thotë dhe vendimi i gjykatës, ai është larguar si administrator më 4 qershor 2007, disa ditë pas kryerjes së blerjes. “Nga pozicioni i administratorit kam dhënë dorëheqjen e parevokueshme përkatësisht më 30 dhjetor 2006 për “Virtu Acquisitions” dhe “Crown Acquisitions”, dhe më 20 mars të vitit 2007 për kompaninë “SRF Developments”, - thotë Isufi.

Dokumenti i gjykatës

Por, edhe nëse Fazlliç mund të përgënjeshtrojë faktin se nuk është shitur kompania e tij “Crown Acquisitions”, vendimi i datës 9 korrik 2007 që botohet sot nga gazeta “TemA” provon krejt të kundërtën. Sipas këtij vendimi, gjykatësja e vetme, Majlinda Doga, e Gjykatës së Tiranës ka vulosur blerjen e kompanisë nga firma qipriote.

Kështu, sipas fakteve që botoi gazeta “TemA”, superspekulanti Damir Fazlliç ka marrë realisht 1 milion e 750 mijë euro, jo për të shitur një kompani fantazmë, por për të marrë bakshishin e blerjes së energjisë nga firma serbe “Rudnap”. Sipas të dhënave që ka siguruar gazeta “TemA”, Aleksander Lupsiç, pronar i kompanisë “Rudnap” me qendër në Vjenë, në rrugën kryesore të saj, Kärntnerstraße, është kompania, e cila na ka shitur 34.3 milionë euro energji.

I njëjti njeri, pra Aleksandër Lupsiç, është dhe pronar real i “Altaria Research Limited” në Qipro, që më 9 korrik ka blerë kompaninë “Crown Acquisitions” për shumën e 1.750 mijë eurove.

Fakti që Fazlliç ka shitur një firmë fantazmë me një çmim astronomik një njeriu që ka blerë energji në Shqipëri dhe konsulentë të blerjes së energjisë janë të njëjtët avokatë, tregon se transferta është bërë për të ndarë bakshishin e blerjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›