Tre mashtrues në një varkë, pa llogaritur avokaten
I pari foli Fazlliç. Miliona njerëz shihnin imazhet e tij, i arrestuar mes policëve, ndërsa zëdhënësi i policisë së Bosnjës thotë se u arrestua dhe po hetohet për mashtrime financiare dhe trafik armësh. Ai i qetë, pa iu dridhur syri dhe pa bërë ende dush nga rruga e gjatë prej qelisë në shtëpinë e tij të dytë në Londër, thoshte se “nuk jam arrestuar”, se “nuk kam shitur firmë në Qipro” dhe se “gjithçka është shpifje”. I dyti foli Lulëzim Basha, i cili mohoi se kunati i tij është administratori i gjithë firmave që ka themeluar Fazlliç në Shqipëri, derisa i ka shitur. E kam akuzuar qartë për një rast për mitmarrje, duke i përmendur katër dëshmitarë. Pa iu dridhur syri, me një hartim të shëmtuar bën sikur s’ka ndodhur gjë dhe ikën. I treti foli kunati i tij, por ky me e-mail. Për të treguar se dhe ky po përgënjeshtron, thotë që nuk është ortak me Fazlliçin, ndërkohë që gjithë shtypi i ka thënë që je administratori që ke themeluar firmat e Fazlliçit.
Të tre mashtruesit publikë janë të rrezikuar të mbyten, se i kanë hipur së njëjtës varkë, e cila nuk i mban dot. Dhe, duke mashtruar që të tre për të shtyrë një ditë më tutje betejën, kanë rrezikuar realisht një avokate ndoshta të pafajshme, e vetmja që ka bërë punën që i kanë thënë. Ajo quhet Flutura Kola dhe është bashkëpronare në studion që ka blerë së bashku me Argita Berishën. Nëse këto që thotë Fazlliç janë të vërteta, atëherë Flutura Kola duhet të arrestohet për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh. Ajo ka marrë pëlqimin e Fazlliçit për shitjen e kompanisë që në maj të vitit 2007, ka shkuar në Qipro, ka marrë prokurën e përfaqësimit të tyre në Tiranë, ka blerë kompaninë fantazmë të Fazlliçit, e ka riregjistruar me vendim të gjyqtares në Tiranë dhe e ka depozituar në QKR. Dokumentet janë të gjitha aty. Tani duhet të dënohet ose Fazlliç, ose Flutura Kola.
Zoti Basha, i cili e ka dimension natyral të tij gënjeshtrën, thotë se asnjë familjar i tij nuk ka lidhje me Fazlliçin. Në fakt, njeriu që ka kryelidhje me Fazlliçin është Lulëzim Basha. Dua t’i kujtoj se fituesi i tenderit të rrugës Milot-Rrëshen, që formalisht është një kompani sllovene, është ndërmjetësuar nga një prej ortakëve të Fazlliçit në kompanitë e basteve sportive që drejtoheshin në atë kohë prej kunatit të tij. Se sa e quan familjar kunatin e tij Lulëzim Basha, këtë e di çdo njeri që njeh Lulëzim Bashën. I vetmi fat që ka kunati i tij, është se askush nuk është bërë familjar me emrin e tij, Erion Isufi, pasi të gjithë i thërrasin “kunati i Lul Bashës”, si dikur kunati i shokut Xhemal.
Së treti, doli e mashtroi dhe vetë kunati. Ky i fundit nuk di të bëjë ndonjë punë tjetër veç kësaj, kështu që nuk ia vlen t’i komentojmë gënjeshtrat e tij. Është mirë që këta njerëz këto deklarata t’i bëjnë para drejtësisë, nëse ajo i thërret. Fazlliç të pranojë që nuk është ndaluar dhe nuk ka shoqëri, Basha të pranojë që nuk e ka kunat Erion Isufin dhe ky i fundit të pranojë që nuk ka administruar firmat e Fazlliçit. Pas kësaj e kemi më të lehtë. Nën akuzë pas kësaj kalojnë avokatet e firmës ‘Kola’ dhe firmës ‘Malltezi’, që kanë qenë gjithmonë të angazhuara për punët e Fazlliçit.
Kjo për opinionin publik është më interesante se sa të thirren në prokurori tre mashtruesit e mësipërm. Këta nuk kanë ndonjë vlerë më për opinionin, pasi, kur dikush të shikon dhe me pranga, dhe të lirë dhe ti i thua s’jam arrestuar kurrë, nuk ka ç’të besojë më. As kur të thotë tjetri që ti ke vjedhur me dëshmitarë dhe ti flet kodra pas bregut për “trumbeta beteje”, nuk ka ç’të thotë më, veçse të të vajtojë për lajthitje. Të tre këta mashtrues janë në një varkë mes valëve që rrezikon të mbytet. Në përpjekje për të shpëtuar, këta duan të mbysin atë që ka më pak faj, atë që ka noterizuar fajin e tyre, avokaten Flutura Kola. Kam frikë se ajo di të mbrohet më mirë se këta, se në fund të fundit ajo nuk ka bërë asnjë krim. Thjesht ka bërë punë e avokates në një proces të pistë, për të cilin ajo nuk ka shkelur asnjë ligj, pasi ende nuk na ka thënë që Fazlliç nuk e ka shitur kompaninë në Qipro.