E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afera prej miliona dollarësh, dokumentet që faktojnë shitjen e kompanisë në Qipro

Nga Tema

Gazeta “TemA” risjell dhe njëherë të gjithë dokumentet ligjore që provojnë të kundërtën e asaj që deklaron Damir Fazlliç, se kompania e tij “Crown Acquisitions” nuk është shitur. Kompania e krijuar nga Fazlliç pak pas ardhjes në pushtet të demokratëve, ka patur për administrator kunatin e vetëm të Lul Bashës, Erion Isufin, deri më 4 qershor 2007.

Ajo mori niptin për konsulencë tregtare dhe u regjistrua në tatime. Siç shihet dhe nga faksimilet që disponon gazeta, ajo nuk ka bërë asnjë aktivitet tregtar në Shqipëri deri në vitin 2007. Ka marrë rregullisht gjoba nga sistemi i tatimeve dhe nuk ka vrarë mendje të shkojë të bëjë ndonjë deklarim atje.

Ndërkohë, në maj të vitit 2007, Damir Fazlliç vendos ta shesë këtë kompani te një kompani qipriote. Shuma është marramendëse, 1 milion e 750 mijë euro. Dhe kjo në një kohë kur kompania nuk ka asnjë kapital financiar dhe asnjë aset në formën e pasurive të paluajtshme. I vetmi ndryshim ishte se kishte ndërruar zyrat me qira nga lagjja e vjehrrit të Lulëzim Bashës te dy kullat në bulevard së bashku me kunatin e Lulëzim Bashës.

Shitja u krye zyrtarisht më datën 9 korrik 2007, me vendim gjykate, nr. 34011/2, të gjyqtares Majlinda Doga për llogari të një firme të regjistruar në Nikozia të Qipros, e cila quhet “Altaria Research Limited”.

Firma qipriote nuk solli ndonjë përfaqësues të sajin në Shqipëri, por autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Flutura Kola, bashkëpronare e studios “Kola& Malltezi”. Dokumentet tregojnë se firma qipriote e ka lëshuar prokurën e përfaqësimit që në datën 14 maj 2007 (kohë në të cilën administrator ishte z. Isufi), ndërsa avokatja Kola më datën 20 qershor 2007 firmosi kontratën e shitjes. Nga termat e kontratës del se firma “Crown Acquisitions” u shit për një vlerë prej 1 milion e 700 mijë eurosh, ndërsa në kontratë nuk përcaktohej asnjë aset i firmës.

Ndërkohë, gazeta ka zbuluar në tatime se firma ende vazhdonte të ishte e regjistruar në emër të Damir Fazlliç. Madje të dhënat nga tatimet tregojnë se kjo firmë nuk ka derdhur asnjë qindarkë në arkën e shtetit. Firma nuk kishte asnjë aset dhe nuk ka paguar kurrë ndonjë detyrim tatimor, madje nuk ka paguar as 10 përqindëshin e TVSH për kontratën e shitjes.

Flutura Kola ka filluar të operojë në fushën e avokatisë dhe konsulencës që prej 8 tetorit të vitit 2005, datë në të cilën, zonja Kola së bashku me juristen tjetër, zonjën Argita Malltezi, regjistruan në Tiranë studion ligjore “Malltezi&Kola”. Megjithatë, praktika e kësaj studioje tregon se vetëm dy muaj pasi u themelua, dy ortaket u ndanë. Në bazë të dokumenteve zyrtare rezulton se në të njëjtën datë (15 dhjetor 2005), zonjat Flutura Kola dhe Argita Malltezi janë paraqitur tek e njëjta notere (zonja Flutura Pustina, shoqe e tyre, gruaja e Andi Tomës, drejtor i Rrugëve), për të regjistruar dy firma konsulence më vete. Për pasojë, u formuan dy firmat “Malltezi& Associates” si dhe “Kola&Associates”. Ndonëse dy ortaket filluan të operonin më vete, ato ndajnë të njëjtën zyrë që kanë deklaruar se kanë blerë bashkë, ekzaktësisht në të njëjtin apartament në adresën: “Rruga e Barrikadave”, Pall. Ndërtim Vila, Ap. 7.

Akti i shitjes është depozituar në QKR, por jo në tatime. Paratë janë marrë, por tatimi nuk është paguar. Nuk dihet në ç’mënyrë është bërë pagesa, cash ose me çek, por e sigurt është se ajo është përdorur për të sjellë 1 milion e 750 mijë euro nga Qipro në Tiranë.

***

Nga ana tjetër, kompania qipriote që bëri blerjen, “Altaria Research Limited” vepron formalisht në Qipro, dhe ka në përbërje të saj 1200 aksione, të cilat përfaqësohen nga dy gra secila nga gjashtë aksione. Forma e aksionerëve është anonime dhe e paverifikueshme. Në mbledhjen që ka bërë kompania për të autorizuar Flutura Kolën për blerje të kompanisë së Fazlliç në Shqipëri, del se është thirrur si sekretare e mbledhjes një pronare e një kompanie tjetër “Skaysee” me Merin Janulla, e cila ka firmosur autorizimin. Dyshimet shkojnë më tej, pasi kompania që ajo përfaqëson është në listën e zezë të OKB për trafik armësh në Afrikë.

***

1 muaj pasi kishte bërë këtë shitje të rreme, më 10 shtator të vitit 2007, zoti Fazlliç autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Joana Qeleshi, që të regjistronte në emër të tij firmën “Alpha”. Zonja Qeleshi në këtë periudhë ka punuar si avokate në studion “Kola&Associates”, në pronësi të avokates Flutura Kola. Madje, Damir Fazlliç zgjodhi si kontabiliste për firmën “Alpha” zonjën Shpresa Breçani, e cila është mbesa e kryeministrit Berisha dhe kushërirë e parë me juristen Argita Malltezi. Më tej akoma, gjithë përkthimet dhe përkthyeset mbajnë ose mbiemrin Basha ose Isufi, që janë përkatësisht mbiemrat e Lulëzim Bashës dhe Xhaferr Isufit, vjehrrit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›