E Diel, 1 Nëntor 2026

Kunati i Lul Bashës distancohet nga Berisha

Nga Tema

Antena brenda familjes

Erioni, kunati i vetëm i Lulëzim Bashës, u distancua dje nga Berisha dhe kunati i tij. Ndryshe nga ata të dy që e shpallën Fazlliçin mik të ngushtë të tyre dhe që iu bashkuan gënjeshtrës së tij se ai nuk është arrestuar. Kjo e vuri në siklet Bogdanin, i cili nuk gjente dot shpjegim. Doktori iku për Gjermani dhe ai nuk kishte kë të pyeste se ç’qëndrim duhet të mbante.

Flamuri, i cili e zëvendëson atë në këto raste, u përpoq ta ndihmonte.

- Për mendimin tim, ne duhet ta injorojmë këtë që ka bërë kunati i Lul Bashës, - i tha Flamuri. - Ai e bën, se është frikacak. Ne nuk duhet të biem në kurthin e tij. Se ai është dhe familje e majtë dhe e ka pak inat doktorin nga e kaluara, se doktori nuk e mbrojti Vehbi Alimuçën në ‘97. Ai e ka dajën e nënës Vehbiun dhe me paratë e tij u shkollua dhe bleu pasuri në Holandë. I ka ca inate të vjetra ai me këtë burrin, ndaj nuk i duhet vënë re. Ne duhet të mbajmë linjën tonë, që Fazlliç është i pastër dhe i paarrestuar.

- Mirë o mirë, po si t’ia bëjmë? Unë s’dal dot. Thuaji atij burrit të nxjerrë ndonjë tjetër.

- S’ka problem, se nxjerr Aldon ai. Aldua s’e ka problem, thotë çfarë të duash. Derisa të mbarojë kjo punë e hetimeve për Gërdecin, Aldon e ke gati të thotë ç’të dojë. Vetëm mos ta thërrasin në prokurori.

- Po pse të jetë distancuar thua ti, di gjë ai?

- Është plehrë ai kunati i Lul Bashës. E di që Damiri ka bërë pisllëqe dhe do të distancohet. Do t’ia lërë në kurriz atij burrit. I kam thënë kaq herë, mo ta shoh këtu te PD dhe që nga 2005 s’ka ardh më. Por gënjen njerëzit rrugëve dhe flet në emër të PD. Kjo që ka bërë, është shumë e ndyrë. Është administrator në gjithë firmat e Fazlliçit dhe distancohet. Ai burri që nuk është në asnjë e merr përsipër. Kam frikë se është lojë e madhe kjo. Se duan t’ia lënë këtij burrit, kur të dalë ndonjë fakt tjetër. Mirë që foli dhe ky Tritani sot për këtë punë. Se ky ka një të mirë që thotë ç’të duash.

- Nejse, doktori nuk tha që nuk është arrestuar. Po e teprojnë pak këta.

- E di, e di, po nuk çajnë kokë ata. Dhe që e shikojnë mes policëve të arrestuar, thonë nuk është ai. Janë të mirë për këtë punë. Le t’i thonë këto gjëra se s’u bë kiameti. Se mos ka për t’u bërë hetim për Fazlliçin dhe të dalë ndonjëherë kush është. ǒpunë kemi ne me atë.

- Po ky Aldua, mos na e dredh dhe ky?

- Ky s’ka ku të vejë, se po kërkohet një kokë për GËRDECIN. Është një faks aty, që e di mirë ai po lëvizi. Derisa të mbarojë hetimi, ai do kërcejë me një këmbë, çfarë t’i thotë ai burri, mos ça kokë.

- Kam dëgjuar diçka, e di. Po mirë që e njeh frikën të paktën. Se dhe Luli m’u dhimbs dje i shkreti. Nuk tha asnjë fjalë. Gjithë ato akuza konkrete që i kishin bërë, nuk tha asnjë. Bravo si e mbajti veten.

- Do ta mbajë se s’bën, ndryshe nuk e qas më aty. E di mirë ai ç’e gjen, po nuk rezistoi. Se na e ka dredh nja dy herë, po tani s’ka ku ikën. Na duhej shumë kjo punë, se e kemi peng dhe atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›