E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Ekonomia shqiptare në rrezik

Guvernatori i Bankes se Shqipërisë, Ardian Fullani ka deklaruar se rrezikohet një rritje e mëtejshme e inflacionit ne vend. Sipas tij, presionet ne ekonomi nga kriza botërore e ushqimeve janë shtuar. Ne keto kushte, kreu i Bankes Qendrore ka rekomanduar zhvillimin e bujqësisë si e vetmja mënyre per te zbutur rritjen e çmimeve.

Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe mallrave të tjerë të konsumit në tregjet tona do të vazhdojë. Alarmi është dhënë nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani në komisionin parlamentar të Ekonomisë, gjatë prezantimit të raportit për vitin 2007. Ai ka deklaruar se kriza botërore e ushqimeve do të ndikojë në ekonominë tonë dhe se rrezikohet një rritje e mëtejshme e inflacionit. Në këto kushte, kreu i Bankës Qendrore i ka sugjeruar qeverisë që të marrë masa për të zhvilluar sektorin e bujqësisë, si e vetmja mënyrë për të minimizuar efektet negative të kësaj situate. “Kriza botërore e ushqimeve do të vazhdojë për një periudhë afatmesme dhe duhen masa urgjente për strukturimin e bujqësisë. Presionet në kahun e ofertës do të shtohen dhe kjo do të ndikojë në inflacion”, ka deklaruar Fullani. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka deklaruar se po monitorohet me kujdes situata, duke lënë të kuptohet se për momentin nuk do të ketë ndërhyrje të institucionit mbikëqyrës bankar nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit për lekun. Përveç krizës botërore të ushqimeve, inflacioni në vendin tonë rrezikohet edhe faktorët e brendshëm, si shumëfishimi i efekteve të rritjes së çmimit të energjisë dhe fluksi i madh i investimeve publike të parashikuara këtë vit, të cilët do të ushtrojnë presione mbi këtë tregues, duke shkaktuar rritjen e mëtejshme të kostos së jetesës në vend. Gjatë muajit të kaluar, inflacioni arriti nivelin alarmant të 4.6 përqind, duke tejkaluar objektivin e vendosur nga Banka e Shqipërisë. Kjo e fundit ka parashikuar që këtë vit, ky tregues të luhatet në kufijtë e 3 përqind, me një normë tolerance plus/minus 1 përqind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›