E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpul-Çelsi, supersfida angleze për finalen e Moskës

 "Të kuqtë" dhe "blutë" do të përballen për herë të tretë në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve

Avram Grant mezi shqiptoi disa rrokje, pas fitores së Çelsit kundër Evertonit mesjavën e kaluar, por komentet e tij mbi kapitenin e Liverpulit, Stiven Xherrard, me siguri që do ta ndezin atmosferën në prag të gjysmëfinales së sotme për Ligën e Kampionëve. Liverpuli do të ndeshet me Çelsin për të tretën herë në katër sezonet e fundit, në fazën kur luftohet për biletën në finalen e madhe dhe kur trajneri i "bluve" nxori mjaltë nga goja për Xherrardin përpara ndeshjes kundër pesë herë kampionëve të Europës. "Xherrard është lojtar dhe njeri i madh", citohej dje gjithandej nëpër mediet britanike trajneri izraelit. "Për mua, ai është Lojtari i Vitit në Angli e ndoshta edhe në Europë, për shkak të ndikimit që ai ka te skuadra. Ai më pëlqen shumë si futbollist, ndërsa e njoh edhe si njeri. Eshtë shembull për të tjerët. Vërtet që do ta kem kundërshtar sot, por ai mbetet gjithsesi lojtari im më i parapëlqyer dhe, nëse do ta sillnin nën urdhrat e mia, unë do të isha shumë i kënaqur." Çelsi është përpjekur disa herë për ta blerë Xherrardin, nën drejtimin e paraardhësit të Grantit, Hoze Murinjo, dhe mesfushori i Anglisë ishte fare pranë shpërnguljes, fillimisht për 30 milionë euro në vitin 2004 dhe për 48 milionë në verë. "Blutë" e Abramovit nuk arritën dy herë që ta thyenin Liverpulin në këtë fazë të Ligës së Kampionëve, nën drejtimin e Murinjos. Një herë ndodhi në vitin 2005, kur humbën me rezultatin e përgjithshëm 1 0, dhe sërish vitin e kaluar, kur dështuan në "Anfilld", gjatë gjuajtjes nga pika e bardhë, pasi rezultati i përgjithshëm ishte fiksuar në 1 1. Me vetëm tri gola të shënuar në gjashtë përballjet në Champions, pritet që një tjetër betejë e madhe të zhvillohet sonte. Ama, ndryshe nga gjysmëfinalet e vitit 2005 dhe 2007, Liverpuli do ta luajë ndeshjen e parë në shtëpi dhe është i detyruar ta shfrytëzojë këtë faktor për të shënuar sa më shumë në "Anfilld", sepse Çelsi është i papërmbajtshëm në "Stemford Brixh", ku nuk humbet ndaj një kundërshtari anglez prej më shumë se katër vitesh. Gjithsesi, në muajin nëntor, "të kuqtë" vendosën një rekord të ri në Ligën e Kampionëve, kur shpartalluan 8 0 Beshiktashin në fazën e grupeve, kurse dy javë më parë ata fituan 4 2 ndaj Arsenalit, në një prej ndeshjeve më të bukura të luajtura ndonjëherë në turneun më elitar të kontinentit tonë.

Një tjetër faktor, në favor të Liverpulit, është historia, sepse hera e fundit që ata humbën në gjysmëfinalen e Champions it ishte në vitin 1965. E sigurt është se lojtarët e Çelsit do të jenë tepër të vendosur për të mos pësuar një tjetër humbje përballë Liverpulit në gjysmëfinale. Londinezët dhuruan një paraqitje tepër cinike dhe rezultative në Mersisajd të enjten, kur fituan 1 0 kundër Evertonit, për të mbajtur gjallë shpresat e tyre për titull. Kapiteni i tyre, Frenk Lampard, largimi i të cilit në verë mund t'i hapë vend mbërritjes së Xherrardit, tha se hakmarrja nuk do të jetë arsyeja e tyre për të fituar ndaj Liverpulit. "Gjëja më e mirë që mund të mësosh nga ato humbje është kujtimi i ndjenjave që të përfshijnë pas vërshëllimës së fundit të arbitrit. Nuk ka ku të shkojë më keq," tha anglezi. Çelsi nuk do ta ketë të pezulluarin Mikael Esien për ndeshjen e parë, si dhe pritet që ganezi të zëvendësohet nga Mikael Balak, ndërsa Xherrard pritet të jetë në fushë për skuadrën e Benitezit, pavarësisht se ndien dhimbje në qafë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›