Helmohen rreth 100 persona në ceremoninë mortore
Prokuroria e Krujës ka hapur çështjen penale për këtë ngjarje. ISHP: Helmimi nga ushqimet e konsumuara
Fushë Krujë- Dreka mortore për ngushëllimin e vdekjes së një 20-vjeçari për pak sa nuk është kthyer në një tragjedi, duke rrezikuar seriozisht jetën e dhjetëra personave. Ngjarja ka ndodhur dje në mesditë, në një lokal në afërsi të Fushë Krujës, ku protagonistë kanë qenë rreth 100 persona ndërsa shkak për këtë mendohet të ketë qenë intoksikimi nga ushqimet. Menjëherë pas ngjarjes, mjekët e Spitalit Ushtarak pohojnë se kanë pritur më shumë se 50 persona në gjendje të rëndë shëndetësore dhe se ata janë jashtë rrezikut për jetën. Mjekët e këtij spitali ngrenë dyshime serioze për intoksikacione nga ushqimet. Ndërsa burime të policisë Fushë-Krujës pohojnë se pjesa tjetër janë dërguar nëpër spitale të tjera. Ndërkohë, Prokuroria e qytetit të Krujës ka hapur çështjen penale dhe ka filluar hetimet lidhur me shkaqet e ndodhjes së këtij incidenti. Policia ka marrë në pyetje të zotin e lokalit, Afrim Vathi, si dhe persona të tjerë që mund të kenë lidhje me ngjarjen qoftë si të dyshuar ose që mund të ndihmojnë në zbardhjen e shkaqeve të helmimit masiv të kësollëtorëve. Ndërkohë, është bllokuar menjëherë vendi i ngjarjes dhe janë siguruar kampionet e ushqimeve të konsumuara për t'i analizuar në mënyrë shkencore e për të dalë me konkluzionet përkatëse. Policia po heton në disa pista, por më e mundshmja mbetet në helmimin e ushqimeve nga fillimi i temperaturave të larta dhe ruajtja në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare nga pronari i lokalit. Ndërsa specialisti i Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku pohon se dyshimet kanë të bëjnë pikërisht me helmim nga produktet ushqimore por rezultatet e analizave do të dalin brenda pak ditësh.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 1 e 30 të ditës së hënë kur rreth 100 vetë kanë marre pjesë në një ceremoni mortore dhe janë rrezikuar për t'u kthyer në viktima, pasi mbi 70 prej tyre janë intoksikuar nga ushqimi i konsumuar. Morti i një 20-vjeçari të vdekur aksidentalisht në Itali dhe i bërë në një lokal në afërsi të mbikalimit të Fushë Krujës, i përkiste shtetasit Afrim Vathi. Sapo kanë konsumuar ushqime të drekës mortore janë konstatuar intoksikacionet e para, ku disa gra janë rrëzuar në oborr. Menjëherë është njoftuar urgjenca për dhënien e ndihmës së parë mjekësore, por numri i të helmuarve nga ushqimi ka ardhur duke u rritur progresivisht saqë është dashur të organizohet transporti me automjete drejt spitaleve të Tiranës, si dhe në spitalet e Fushë Krujës dhe të Krujës. Në këto dy spitale janë seleksionuar të sëmurët më të lehtë, ndërsa të tjerët u dërguan në Tiranë. Pas marrjes së njoftimit u vu në gatishmëri edhe Spitali Rajonal i qytetit të Durrësit. Drejtori i këtij spitali, Bashkim Shehu tha se u caktuan për të pritur të sëmurë ne urgjencë një sërë shtretërish dhe personel në gatishmëri, por s'qe e nevojshme.
Fiqiri Kallaku tregon se si e përjetoi familjarisht helmimin në drekën mortore. Mendoj se kjo erdhi nga supa me mish
Të helmuarit
"Harruam shpirtin e të ndjerit dhe u lutëm për jetën tonë"
Eglantina Bardhi
Dreka e ceremonisë mortore e të afërmeve të tyre është kthyer në një tmerr të vërtetë. Nuk do besonin kurrë se brenda pak minutash, të gjithë të pranishmit në drekën mortore do të pësonin helmim të fortë duke rrezikuar seriozisht jetën. Në këto rrethana, lutjet për shpirtin e të ndjerit shumë shpejt janë kthyer në lutje për shpëtimin e jetës së tyre pasi helmimi ka qenë aq i rëndë, sa nuk e kanë besuar se do të shpëtonin. Ata që e kanë përjetuar këtë ngjarje janë edhe 3 pjesëtarët e familjes Kallaku, të cilët ndodhen të shtruar në Shërbimin Infektiv, pranë Spitalit Ushtarak. Kështu, 49-vjeçari Fiqiri Kallaku i cili jeton në zonën e Fushë Krujës tregon ngjarjen që kanë përjetuar së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tyre 14-vjeçar. Ndërkohë, të gjithë të pranishmit hedhin dyshimet kryesore se kjo ngjarje është shkaktuar pikërisht nga ushqimet që kanë konsumuar dhe saktësisht, nga një supë që ishte gatuar me mish.
Të helmuarit
Ishte e tmerrshme tek shikoje se si të gjithë të pranishmit në ceremoninë mortore shfaqën shqetësim dhe shumë shpejt u përkeqësuan, aq sa asnjëri nuk mbante dot veten në këmbë. Kështu u shpreh Fiqiri Kallaku, i cili theksoi se në ceremoninë mortore kanë qenë më shumë se 100 persona dhe pothuajse të gjithë kanë përfunduar nëpër spitale. "Në drekë kisha edhe djalin 14 vjeç dhe u trondita kur e pashë që po dridhej i tëri dhe më pas ra përdhe. Të njëjtën skemë pashë edhe me bashkëshorten, e cila ishte zverdhur e tëra dhe nuk dinte si të vepronte",- thotë Fiqiri Kallaku, duke shtuar se kësaj situate nuk i shpëtoi as ia vetë. Sipas tij, brenda pak minutash janë transportuar për në spital, ku ata që kanë qenë më rëndë janë sjellë përkatësisht në Spitalin Ushtarak dhe në QSUT. Ndërsa djali i tij 14-vjeçar tregon se në këtë ceremoni nuk kishte bashkëmoshatarë të tij dhe se deri kur e kanë sjellë në spital, ndihej shumë keq. "Në fakt, unë nuk mbaj mend të ketë patur shumë fëmijë apo moshatarë të mi në atë darkë. Por mund të them se ushqimi më bëri shumë dëm dhe nuk kam mundur as të mbaj vetën në këmbë",- pohon ai duke shtuar se pas ardhjes në spital e ka marrë veten dhe tani lutet që edhe nëna e tij të bëhet mirë dhe të kthehen në shtëpi.
Shkaku
Janë gjendur përballë një situate të paimagjinueshme dhe shumë të vështirë. E megjithëse nuk e dinë saktësisht shkakun e këtij problemi, të gjithë mendojnë njësoj. "Mendoi se e gjithë kjo erdhi nga ushqimet që kemi konsumuar dhe pikërisht nga një supë e përgatitur me mish",- pohon Fiqiri Kallaku. Të njëjtën gjë, në fakt, thonë edhe pacientët e tjerë që kanë mbipopulluar Spitalin Ushtarak, pasi, sipas tyre, vetëm nga produktet e helmuara do të vinte gjithë kjo situatë. "E nga se mund të na vinte gjithë kjo gjëmë. Ne ishim të gjithë mirë dhe vetëm pasi hëngrëm nga ajo supa u sëmurëm të gjithë", - thotë Dallëndyshja, njëra nga pjesëtaret e drekës së ceremonisë mortore.