E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnistia e Berishës shpëton Gazideden

 

Bien akuzat për ish-kreun e SHIK-ut, Bashkim Gazideden, pasi 3 veprat penale janë amnistuar në vitin 1997

Krimet e Rënda kanë zbuluar se ish-kreu i SHIK ka kryer 3 vepra penale në zhdukjen e Remzi Hoxhës

TIRANË- Amnistia e Berishës në vitin 1997 shpëton ish-kreun e SHIK-ut, Bashkim Gazidede, nga akuzat për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Kjo është arsyeja, sipas burimeve zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme që nuk mund të ngrihet akuzë ndaj ish-kreut të SHIK-ut, edhe pse është faktuar që me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka konsumuar tre vepra penale: atë të "shpërdorimit të detyrës"; "moskallëzimit të krimit" dhe "veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës". Sipas këtyre burimeve mësohet se gjatë hetimeve dy vjeçare, të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rezultuar se ish-drejtuesi i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, ka konsumuar tre vepra penale që parashikojnë dënimin nga gjobë deri në 13 vjet burg.

***

"Gjatë kryerjes së hetimeve intensive për dy vite nga prokuroria e Krimeve të Rënda dhe oficerëve të saj, janë grumbulluar një sërë provash shkresore, si urdhra shërbimi, procesverbale me shkrim dore dhe korrespodenca zyrtare mes drejtuesit të SHIK-ut në atë kohë dhe institucioneve të tjera, si prokuroria e Përgjithshme, Kuvendi dhe organizata të tjera qeveritare dhe jo qeveritare. Me sekuestrimin e këtyre provave shkresore, por zyrtare del qartë se ish-kreu i SHIK-ut, Gazidede, pas rrëmbimit të Remzi Hoxhës dhe dy shtetasve të tjerë, me veprimet dhe mosveprimet e tij ka kryer tre vepra penale të parashikuara në Kodin Penal",-thuhet nga burimet. Mësohet se elementët e veprës penale të "shpërdorimit të detyrës" janë konstatuar në momentin që zyra qendrore ku ai punon nuk ka ruajtur dhe arkivuar asnjë dokument apo procesverbal të punës së ish-shikasve, tashmë të akuzuar për rrëmbimin e tre shtetasve shqiptarë. Gjithashtu, me veprimet e tij, ish-kreu i SHIK-ut, Gazidede, ka konsumuar elementë të veprës penale të "moskallëzimit të krimit", ku nga shkresat e sekuestruara del qartë se ai nuk ka treguar të vërtetën para prokurorisë, në lidhje me detyrat e ish-vartësve të tij të cilët kanë rrëmbyer dhe zhdukur biznesmenin kosovar. Një tjetër akuzë e amnistuar, që mund t'i atribuohej Gazidedes është ajo e "veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës", pasi ai ka mohuar me shkresa zyrtare se rrëmbimi i tre shtetasve është bërë nga SHIK-u, ndërsa nga hetimet del qartë se rrëmbimi i tyre është bërë nga ish-vartësit e tij.

***

Sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, edhe pse janë konstatuar këto shkelje nga ana e Gazidedes, nuk është e munduar ngritja e akuzave, pasi pasi këto vepra penale janë amnistuar me ligjin e amnistisë nr. 8202, miratuar dhe dekretuar në mars të vitit 1997 nga ish-presidenti, tashmë kryeministër i vendit, Sali Berisha. Sipas këtyre burimeve, është ky ligj që është bërë shkak që pas hetimeve 2- vjeçare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të mos ngrihet akuzë ndaj ish-kreut të SHIK-ut në vitin 1992-1997 Bashkim Gazidede. Sipas prokurorisë, hetimet për rrëmbimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshaj e Remzi Hoxhës, ky i fundit i zhdukur prej 13 vitesh kanë filluar ditët e para të vitit 1996, por që për pak muaj u pezulluan për t'u rihapur në vitin 2003 me kërkesë të familjarëve dhe Avokatit të Popullit. Asokohe, prokuroria nuk arriti të faktojë se katër të pandehurit: Arben Sefgjini, ish-drejtor i Shërbimit Informativ Tiranë, Ilir Kumbaro, ish-kryetar Dege në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë, Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit të Drejtorisë SHIK, Tiranë dhe Budjon Meçe, ish-inspektor në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë kanë kryer veprën penale të rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës. Ata u lanë të lirë, por dosja u rihap sërish, me këmbënguljen e familjarëve të Remzi Hoxhës. Tashmë pritet për t'u parë sesi do të shkojë procesi i ri gjyqësor, kundër ish-punonjësve të SHIK-ut, të implikuar në zhdukjen 13-vjeçare të Remzi Hoxhës.

AKUZAT PËR GAZIDEDEN

Neni 248

"Shpërdorimi i detyrës"

Dënohet me gjobë ose me burgim, gjer në shtatë vjet

Neni 300

"Moskallëzimi i krimit"

Dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet

Neni 301

"Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës"

Dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›