E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Eurobondi-i, fut Shqipërinë në tregjet globale

Vlerësimi është bërë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili ka theksuar se me emetimin e Eurobondit të zakonshëm, me një fond prej 350- 500 milionë eurosh, synohet të financohen të gjitha investimet në infrastrukturë dhe të ristrukturohen financime që do t'i japin një frymëmarrje të re zhvillimit ekonomik të vendit.

"Interesi i bankave më serioze të Evropës për eurobond-et e Shqipërisë, që emetohen për herë të parë në historinë e vendit, është i lartë, por duhet të jemi realist se pjesa dërrmuese e këtyre fondeve do të përdoret për të likuiduar përfundimisht kredinë që morëm vitin e kaluar, në mënyrë që interesat e saj të mos rëndojnë në borxhin dhe financat shqiptare", tha Fullani.

Sipas Guvernatorit, deri në fund të muajit maj pritet të merret një përgjigje pozitive nga tregjet financiare ndërkombëtare. Një transaksion i tillë, vlerëson ai, ndërmerret jo vetëm për të siguruar likuiditete afatgjata, por edhe shërben si një lloj hapjeje e sistemit financiar kombëtar ndaj tregjeve ndërkombëtare, si një prestigj për shkak të besimit që kanë investitorët e huaj mbi letrat e borxhit të një vendi, dhe së fundmi shërben edhe në mënyrë indirekte si promovim i vendit emetues.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›