Fullani: GDP ra me 0. 8 për qind në janar- mars
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka bërë publike shifrat në analizën e tremujorit të parë të këtij viti. Sipas tij zhvillimet ekonomike gjatë tremujorit të parë të vitit 2010 kanë qenë në linjë me ato të tremujorit paraardhës. Megjithëse të dhënat e disponueshme janë të pakta, analizat tona konkludojnë se aktiviteti ekonomik në vend ka qenë relativisht i ngadaltë. Kjo ecuri është ndikuar nga niveli i ulët i investimeve private, ritmet e njëtrajtshme të shpenzimeve konsumatore dhe zbutja e efektit të stimulit fiskal. Eksportet shqiptare kanë shënuar një rritje të shpejtë gjatë tremujorit të parë të vitit, të ndikuar edhe nga përmirësimi i vazhdueshëm i ekonomisë botërore. Gjithsesi, si pasojë e peshës relativisht të ulët në PBB, ndikimi i tyre në rritjen ekonomike rezulton i vogël. Tregjet financiare dhe treguesit monetarë kanë patur zhvillime inkurajuese në këtë periudhë. Politika e kujdesshme monetare e Bankës së Shqipërisë ka ndikuar në qetësimin e pritjeve inflacioniste dhe në ecurinë më të balancuar të sektorit të jashtëm të ekonomisë. Ulja e fundit e normës bazë të interesit është reflektuar e plotë tashmë në normat e interesit të tregut ndërbankar dhe në ato të letrave me vlerë të qeverisë. Në një shkallë më të vogël, ajo është përcjellë edhe në normat e interesit të depozitave dhe të kredive në lekë. Injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit ka ndihmuar gjithashtu në zbutjen e primeve të rrezikut, duke mbështetur e plotësuar politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Ambienti i përgjithshëm makroekonomik dhe kushtet monetare nuk kanë favorizuar krijimin e presioneve të qëndrueshme inflacioniste gjatë kësaj periudhe. Inflacioni relativisht i lartë i çmimeve të konsumit norma e tij u rrit përtej nivelit 4 për qind gjatë dy muajve të parë të vitit i detyrohet rritjes së çmimeve të administruara, shtrenjtimit të çmimeve në tregjet botërore si dhe efektit të vonuar të nënçmimit të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë pret që efekti i këtyre faktorëve të jetë i ulët në intensitet dhe i shkurtër në kohë. Duke konfirmuar këto pritje, inflacioni u kthye poshtë nivelit 4 për qind në muajin mars dhe pritet të qëndrojë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë në periudhën afatmesme. Tregjet financiare janë karakterizuar nga norma në rënie të interesit, nivele të ulëta të rrezikut dhe rritje të tregtimit. Megjithatë, pritjet për nivele të ulëta të kreditimit gjatë vitit 2010, në kushtet e tërheqjes së stimujve monetarë dhe fiskalë në pjesën më të madhe të vendeve dhe nivelet ende të larta të papunësisë, do të kushtëzojnë ecurinë e kërkesës agregate në botë.
BSH: Deficiti tregtar është ngushtuar me 20 për qind
Rreth 20 për qind në terma vjetorë, është ngushtuar deficiti tregtar në tremujorin e parë të këtij viti. Gjithçka është reflektuar me rritjen vjetore të eksporteve dhe rënien vjetore të importeve, respektivisht prej 31 për qind dhe 7 për qind. Kjo ecuri pozitive ka ndikuar edhe në vendosjen e raporteve më të balancuara të kërkesës dhe të ofertës për valutë, duke rezultuar në nivele më të qëndrueshme të kursit të këmbimit. Ndonëse korrektimi i deficitit të bilancit tregtar në këtë periudhë është një zhvillim inkurajues, qëndrueshmëria afatgjatë e tij kërkon vijimin e reformave strukturore në
ekonomi. Në veçanti, rritja e kursimit në ekonomi duhet të inkurajohet nëpërmjet thellimit dhe zbatimit të reformës në sistemin e pensioneve. Kjo reformë do të mbështesë qëndrueshmërinë afatgjatë të këtij sistemi si dhe do të krijojë kushtet e duhura për rritjen e fondeve financiare të brendshme dhe afatgjata, duke i shërbyer korrektimit të deficitit të llogarisë korente të vendit dhe mbështetjes së investimeve afatgjata në ekonomi. Gjithashtu, masa të mëtejshme duhen marrë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte si dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së eksporteve shqiptare në tregjet botërore. Politika fiskale në muajt e parë të vitit 2010 ka ndjekur trendin e frenimit të ekspansionit fiskal, të shfaqur që gjatë tremujorit të fundit të vitit 2009. Shpenzimet buxhetore janë rritur me ritëm të përmbajtur, prej rreth 4 për qind në terma vjetorë. Nga ana tjetër, ngadalësimi i kërkesës vazhdon të diktojë ritme të ulëta të rritjes së të ardhurave buxhetore. Banka e Shqipërisë inkurajon marrjen e masave që synojnë forcimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të treguesve fiskalë, duke kërkuar në këtë optikë monitorimin dhe korrektimin e vazhdueshëm të tyre gjatë vitit.