Fullani: Kredia, jo për konsum, por për prodhim
Kredia bankare duhet të përdoret më shpesh nga ana e sektorit privat, gjë që mund të sjellë rritje të prodhimit vendas. Kjo do të shërbejë si metodë kundër përhapjes së krizës ekonomike, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Kjo ka qenë në thelb deklarata e bërë disa ditë më parë nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë seminarit të pestë Euro- Mesdhetar të rangut të lartë, i cili i zhvilloi punimet në Aleksandri (Egjipt), më datën 27 nëntor 2008. Ky forum i përvitshëm, i cili ul në një tavolinë bisedimesh përfaqësues të Eurosistemit me bankat qendrore të rajonit të Mesdheut, jo anëtare të Eurozonës, u organizua bashkërisht nga Banka Qendrore e Egjiptit dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE). Në këtë takim morën pjesë drejtues të lartë të bankave të Eurosistemit, përfshirë z.Jean-Claude Trichet, president i BQE, Lorenzo Bini Smaghi, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, si dhe guvernatorë apo përfaqësues të lartë të bankave qendrore të Austrisë, Belgjikës, Qipros, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Greqisë, etj. Seminar i pestë konfirmoi angazhimet e mëparshme të një forumi të rregullt periodik, në të cilin merr jetë një dialog aktiv dhe i vazhdueshëm mbi çështje me interes të përbashkët midis vendeve të Mesdheut. Këtë vit, seminari u përqendrua në zhvillimet ekonomike dhe financiare të kohëve të fundit që po karakterizojnë ekonomitë e zonës së Mesdheut, në strategjitë e politikave monetare dhe përshtatshmërinë e kurseve të këmbimit, si dhe në tendencat e fundit të sektorit bankar, me një vëmendje të veçantë mbi ndërlikimet që vijnë nga kriza globale financiare. Banka e Shqipërisë mori pjesë për herë të parë në këtë aktivitet, ndërkohë që të gjithë të pranishmit mirëpritën propozimin e bërë nga organizatorët për përfshirjen e vendit tonë në takimet e ardhshme të këtij forumi, me të drejta të plota. Në fjalën e tij, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit ekonomiko-financiare në vend, duke u ndalur në veçanti në situatën e sistemit bankar në Shqipëri. Duke qëndruar në të njëjtën linjë me daljet e tij të kohëve të fundit në publik, Fullani theksoi se sistemi bankar në Shqipëri nuk rezulton i prekur nga turbullira ndërkombëtare, ndërkohë që rreziqet për të ardhmen qëndrojnë më shumë mbi aktivitetin e ekonomisë reale. "Për këtë arsye, është e domosdoshme të rritet më tej përdorimi i kredisë bankare nga ana e sektorit privat, pasi vetëm kështu do të mundësohet rritja e prodhimit dhe integrimi i mëtejshëm i vendeve të Mesdheut me ekonominë globale", tha Fullani.
Delegacioni polak
Dje pranë BSH-së zhvilloi vizitë zyrtare një delegacion polak i përbërë nga Presidenti i Bankës Kombëtare të Polonisë, Stawomir Stanislav Skrzypek, nga Drejtorja Përfaqësuese e grupit Shqipëri-Bullgari-Poloni në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) Krystyna Gawlikowska. Tema e diskutimit ishte zgjerimi i bashkëpunimit në drejtim të përmirësimit dhe zhvillimit të sektorit bankar.
Delegacioni polak
Dje pranë BSH-së zhvilloi vizitë zyrtare një delegacion polak i përbërë nga Presidenti i Bankës Kombëtare të Polonisë, Stawomir Stanislav Skrzypek, nga Drejtorja Përfaqësuese e grupit Shqipëri-Bullgari-Poloni në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) Krystyna Gawlikowska. Tema e diskutimit ishte zgjerimi i bashkëpunimit në drejtim të përmirësimit dhe zhvillimit të sektorit bankar.