E Diel, 1 Nëntor 2026

SHKB-ja nis hetimet për dy policë që humbën kallashnikovët

Ngjarja e rëndë e ndodhur në javën e kaluar, kur persona të panjohur rrëmbyen dy kallashnikovë të grupit të gatshëm të policisë, në Bulqizë, ende po vazhdon të mbajë të mbërthyer policinë në aksionin për gjetjen e autorëve që çarmatosën dy policët. Fillimisht grabitja e pazakontë e policëve A.Tafçiu dhe B.Koleci u mbajt sekret me shpresën se nga kjo polici do të mundësohej gjetja e armëve të vjedhura. Megjithëse policia u tregua tepër e rezervuar në dhënien e informacionit për vjedhjen e armëve të policëve, pasi nuk kanë mundur të bien në gjurmët e kësaj vjedhjeje, ata janë detyruar të njoftojnë Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Dibrës, e cila ka lëshuar vendimin e pezullimit për dy policët. Por edhe pse po mbushet java, nuk ka asnjë shenjë për gjetjen e autorëve të kësaj vjedhjeje. Nga burime të sigurta, edhe pse jo zyrtarisht, merret vesh se armët e vjedhura të policisë, nuk janë gjetur ende dhe se deri më tani nuk ka asnjë të ndaluar për këtë vjedhje. Ndërkohë, po sipas këtyre burimeve, dyshohet që vjedhja e armëve të jetë bërë brenda komisariatit, kur në orët e vona të natës dy policët kanë rënë në gjumë dhe vetëm kur janë ngritur në mëngjes për të dorëzuar shërbimin janë befasuar kur nuk kanë gjetur armët të lëna si zakonisht në bagazhin e makinës së grupit të gatshëm. Dy policët, A.Tafçiu dhe B.Koleci, nga më të "fortët" e grupit të gatshëm të policisë, kurrsesi nuk e kanë çuar ndër mend se mund t‘u vidhen armët brenda mjediseve të komisariatit të policisë. Sipas zëdhënësit të policisë Dibër, Aldo Puca, për të dy këta efektivë të policisë, që nuk ruajtën armët e tyre, vazhdon të mbetet në fuqi masa e pezullimit nga puna. Gjithashtu, mësohet se edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur hetimet rreth grabitjes së bujshme. Ndaj dy efektivëve të policisë që nuk ruajtën armët e tyre do vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›