Fullani: Kreditë me probleme, në masën 9%
Kriza ekonomike është një ndër arsyet që ka ndikuar në rritjen e kredive me probleme. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka pranuar dje se nga sistemi bankar shqetësim mbetet rritja e shpejtë e kredive me probleme. “Do t’i cilësoja kredi me probleme dhe jo kredi të këqija”, - ka nënvizuar Fullani, duke sqaruar se në to vetëm janë hasur vështirësi në kthimin e tyre. “Aktualisht ky nivel ka arritur në 9% të totalit të portofolit të kredisë”, - tha Fullani. Por nga ana tjetër, Guvernatori tha se institucioni monetar ka marrë masa shtrënguese ndaj bankave të nivelit të dytë, për të administruar rrezikun që vjen nga ky fenomen. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha dje se është rritur niveli i kredive në lekë për këtë periudhë. Por ndonëse pak muaj më parë BSH uli normën e interesit me 0.5 për qind, kjo duket se nuk ka ndikuar shumë në rritjen e kreditimit. Pas përfundimit të mbledhjes së këshillit mbikëqyrës, Guvernatori i bankës ka pohuar se efekti i këtij veprimi nuk është reflektuar ende në praktikë. “Ulja e normës nuk është ndjerë ende plotësisht, kjo për shkak edhe të kohës kur u mor vendimi, megjithatë ne jemi të bindur se ky veprim do të ndihet në një moment të dytë”, - pohoi Ardian Fullani. Ulja e normës së lekut ka për qëllim që të ulë kostot e kredive në lekë dhe ky vendim u mor në një kohë kur ekonomia po vuan pasojat e kreditimit. Guvernatori i bankës, Ardian Fullani, ka analizuar situatën ekonomike të vendit, ku sipas tij, është konstatuar se ka një rënie të eksporteve, por edhe të investimeve publike në tremujorin e tretë të këtij viti. Megjithatë, ai ka ripërsëritur shqetësimin e tij për një deficit të lartë buxhetor.