E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pseudo-gandizmi i opozitës



Kalvari i protestave të opozitës, që kishte filluar që në shtator, ishte pak i qartë për shumëkënd përpara 20 nëntorit. Mirëpo pas tri ditë protestash në kryeqytet, u bë e dukshme pjesa nënujore e ajsbergut. Interesi i Partisë Socialiste dhe i partive të vogla aleate të saj në protestë: zgjedhjet e parakohshme. Normalisht, në një vend demokratik, opozita i kërkon zgjedhjet e jashtëzakonshme kur verifikohen tri situata të vështira. Së pari, vendi është në kolaps të plotë politik dhe ekonomik dhe qeveria është tërësisht e paaftë ta kalojë kolapsin. Së dyti, qeverisja është futur në një tunel të thellë skandalesh dhe dështimesh saqë i ka mbaruar i gjithë morali për të kryer reforma dhe për të drejtuar vendin. Së treti, vendi, për arsye të ndryshme ndodhet në prag lufte civile dhe qeveria nuk ka asnjë mundësi ta parandalojë. Tek ne, asnjë nga këto situata nuk ka. Kemi zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme më 28 qershor të këtij viti. Zgjedhje që janë pranuar si më të mirat që ka zhvilluar ndonjëherë vendi në demokraci nga institucione të tilla si Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evrope (OSBE), nga struktura e saj e specializuar për të vëzhguar zgjedhje nëpër botë me emrin ODHIR, nga Komisioni Evropian, nga Parlamenti Evropian, nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e shumë partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Disa prej tyre kanë prodhuar edhe raporte për zgjedhjet tona me një listë të gjatë rekomandimesh për përmirësim. Deri këtu të vërtetat që i di e gjithë bota. Mirëpo opozita ka zhvilluar pretendime të tjera. Akuza për vjedhje votash. Pretendon se ka edhe prova për këtë. Janë një gjë administrimi i pasaktë i vrojtimit elektronik (me kamera) të hedhjes së votës, numërimet gabim të votave dhe tjetër vjedhjet masive të tyre. Deri tani duket se opozita ka prova për natyrën e parë të gabimeve zgjedhore. Dhe këto me të gjithë zellin e saj i quan prova të një vjedhjeje të përbindshme. Lind një pyetje e natyrshme: Kur ka këto prova të forta, pse nuk i shpie në Prokurori dhe të hapë proces gjyqësor? Disa opozitarë mund të thonë se qeveria ka kapur pushtetin gjyqësor dhe Prokuroria e gjykatat nuk do t’i japin të drejtë. Atëherë pse nuk i bën publike këto prova “diskriminuese” në shtypin e pavarur shqiptar (atë të pa”kapur nga qeveria”)? Pse nuk i kalon në anglisht këto prova dhe t’ia vërë në dispozicion shtypit të huaj? Këtë opozita nuk e ka bërë, pse nuk disponon prova për vjedhjen e votave, por prova për gabimet njerëzore të kryera gjatë procesit zgjedhor. Të ngjyera me pasionin politik dhe me dëshpërimin e humbësit, gabime të tilla i ngjajnë si vjedhje. Megjithatë, opozita e kupton fare mirë se në rast se një dosje të tillë do ta bëjë publike, nuk do të arrijë dot mbështetjen as të partnerëve ndërkombëtarë, as të shtypit të huaj. Prandaj dhe zbret në rrugë. Eksitohet dhe karikon bateritë nga radhët e njerëzve që për arsye nga më të ndryshmet dalin nëpër rrugë dhe lëshon predhën e topit të madh: ultimatumin 10-ditor. Kuptohet që Shqipëria nuk ka asnjë dobi nga ky përshkallëzim tensioni politik. Një vend i përfshirë në protesta masive politike është trualli i fundit ku investuesit e huaj do të donin të rrezikonin kapitalet e tyre. Edhe shumë sipërmarrje vendase do të mendohen dy herë përpara sesa të zgjerojnë aktivitetin dhe të investojnë me produkte të reja. Për më tepër, integrimi ekonomik dhe politik me Bashkimin Evropian është intensifikuar si proces në Ballkanin Jugperëndimor. Serbia ka bërë hapa prej gjigandi, ndërkohë që Kroacia prin karvanin. Shqipëria ka gjasa të shumta të fitojë qarkullimin pa viza Shengen për në vendet e Bashkimit Evropian në mesin e vitit tjetër, por këto gjasa mund të rrezikohen nga një situatë e pastabilizuar politike në vend. Po çfarë do të fitojë opozita, kur vendi po humb kaq shumë? Praktikisht asgjë. Do të kemi protesta të përjavshme dhe një numër gjithnjë e më të pakët të atyre që marrin pjesë. Mediat që e mbështesin opozitën do të tregohen të zellshme t’u bëjnë jehonë protestave dhe fjalimeve të drejtuesve të saj, por dhe kjo jehonë do të nisë të zbehet, kur të hyjë në hullinë e një biznesi të zakonshëm politik të opozitës. Mundet që kokëfortësia e saj të shkojë deri në mosfutjen e deputetëve të saj në Parlament edhe për disa muaj të tjerë. Por, nuk ka asgjë tjetër në dorë. Pse morali publik dhe politik nuk është me të. Gandi indian kishte një moral të jashtëzakonshëm, pse shpëtonte vendin e tij nga kolonializmi britanik. Po opozita shqiptare, nga se të na shpëtojë? Nga gjasat për të pasur më shumë investime të huaja dhe hyrje-dalje të lira në BE që nga qershori 2010?! “Shpëtim” të tillë asnjë shqiptar i kthjellët nuk do t’ia uronte vetes.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›