“Fitohet beteja”, Aldo Bare ekstradohet
Në fshehtësi të plotë, pa ndonjë bujë të madhe, me duar e këmbë të lidhura me zinxhirë, ashtu siç mund të trajtohet një kriminel i rrezikshëm siç edhe është cilësuar, Aldo Bare mbërrin i deportuar në aeroportin e Rinasit. Me një avion “Charter”, posaçërisht për transportimin e të etiketuarit kriminel i rrezikshëm dhe kapo i një ndër bandave më famëkeqe, pas tri vitesh arrestimi në Ankara për llogari të drejtësisë shqiptare, paraditen e djeshme, i veshur me një pallto të zezë treçerekëshe dhe pantallona bezhë, është shoqëruar nën supermasa sigurie në aeroportin “Nënë Tereza”, për t’u dorëzuar tek dy specialë të RENEA-s, të cilët e kanë hipur në një autoblindë dhe me një karvan makinash policie është dërguar drejt paraburgimit të Krimeve të Rënda në rrugën “Jordan Misja”. Rrugët plotësisht të kontrolluara nga policia e kryeqytetit, segmenti rrugor i hapur për gati një orë për të kaluar personi i shumëkërkuar dhe i shumëpritur nga drejtësia shqiptare. Ardhja e Aldo Bares në Shqipëri është një ndër arritjet më të mëdha të Ministrisë së Drejtësisë, pas kërkesave të shpeshta të kapobandës së arrestuar për t’u ekstraduar në Itali, pasi, sipas tij, nuk ndihej i sigurt në vendin e tij.
Ekstradimi
Pas dhjetë vitesh arrati është ekstraduar në Shqipëri Aldo Bare, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, i akuzuar për krijim të organizatës kriminale, për më tepër se 20 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, e kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e një prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Evropës Perëndimore, për të cilin policia po bashkëpunon me partnerët perëndimorë në zbardhjen e veprimtarisë së tij. Më 25 mars të tre viteve më parë, Bare u ndalua në Ankara, ku fshihej nën një identitet të rremë, i njohur si një shqiptar nga Maqedonia, me emrin Mikel Kodra. Ndjekja e të fejuarës së tij prej disa kohësh nga policia çoi në rënien në gjurmët e të shumëkërkuarit Aldo Bare, i njohur ndryshe si Mikel Kodra. Për Policinë e Shtetit, arrestimi dhe ekstradimi i Aldo Bares, ose Alfred Shkurtit përbën një sukses të padiskutueshëm, i cili u arrit si rezultat i një pune inteligjente, duke bashkëpunuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, nëpërmjet së cilës u finalizua identifikimi i plotë i këtij personi, i cili maskohej me emra të ndryshëm, nëpërmjet pasaportave të falsifikuara, me emrat fals Mikel Kodra e Artur Sallabanda. Sipas policisë, ekstradimi dhe përballja e tij me drejtësinë shqiptare do ndikojë pozitivisht për thellimin e hetimit të kësaj organizate kriminale.
Masat e sigurisë
Rreth orës 09:55 të ditës së djeshme, i shumëkërkuari nga drejtësia shqiptare, Aldo Bare, ka zbritur nga “Charter”-i që e sillte nga Ankaraja dhe është marrë në dorëzim nga punonjësit e forcave speciale. Masat e sigurisë për të “pritur” të akuzuarin për rreth 20 vepra penale nga drejtësia shqiptare, kanë qenë të rrepta. Një numër i madh i punonjësve të policisë vërehej kudo në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, ndërkohë që për “t’u kujdesur” për vetë Baren ishin forcat RENEA. Aldo Bare alias Alfred Shkurti ishte i lidhur nga këmbët dhe nga duart, shoqërohej nga dy specialë të RENEA-s dhe ishte i rrethuar nga disa të tjerë. Ai është futur në një furgon të blinduar dhe menjëherë është dërguar për në burgun 313-të, ku do të mbahet në qeli për të vijuar me gjykimin e tij. Makina me të cilën ai është transportuar, është ndjekur nga automjete të tjera të policisë, të cilat kanë formuar kolonën shoqëruese drejt burgut në kryeqytet. Ndërkohë që një numër i madh i punonjësve të policisë është vërejtur përgjatë superstradës Tiranë–Durrës, si dhe në rrugët e përfshira në itinerarin e përshkuar për në burgun 313-të. Ndërkohë që sipas burimeve, është rritur numri i punonjësve në burgun ku do të mbahet i mbyllur një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Akuzat
- Krijim të organizatës kriminale, për më tepër se 20 vrasje
- Rrëmbim personi
- Shkatërrim prone
- Dhunim varresh
- Kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale
Aldo Bare (Alfred Shkurti) dhe organizata e tij kriminale akuzohen:
- Për vrasjen dhe dekapitimin (prerjen e kokës dhe shëtitjen në publik) të Artur Dajës në qytetin e Lushnjës.
- Për vrasjen në qendër të qytetit të shtetasit shqiptaro-maqedonas, Xhevat Demiri.
- Për vrasjen për shkaqe të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë të shefit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Sinan Meta.
- Për vendosjen e lëndës eksplozive me telekomandë në stadiumin e futbollit të qytetit të Lushnjës.
- Për vrasjen në vitin 2000 të inspektorit të Policisë Kriminale, Klenti Bano.
- Për vendosjen në vitin 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të Policisë së Rendit, Idriz Shuli.
- Për vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut.
- Për vendosjen në mars 2005 të eksplozivit në banesën e një punonjësi policie në rrugën “Don Bosko” në Tiranë.
- Për vendosjen e minës me telekomandë në makinën e ish-drejtorit të Policisë Kriminale, Xhavit Shala.
- Për vrasjen në vitin 2005 të biznesmenit Baki Taullau, si dhe disa vepra të tjera penale, të cilat janë në hetim: për vrasjen e ish-kryetarit të SHIK-ut të rrethit Lushnjë, Bashkim Shkurti, për vrasjen e ish-nënkryetarit të Bashkisë të qytetit Lushnjë, Drago Voshtima, vrasje këto të kryera në vitin 1998.
- Aldo Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Evropës Perëndimore, për të cilat po bashkëpunohet me partnerët perëndimorë.