Fullani: Norma bazë e interesit për kredinë do jetë e pandryshuar, në nivelin 5.25 % Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vlerësoi zhvillimet e fundit në ekonominë vendase dhe të jashtme dhe vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për kredinë, në nivelin 5.25 %. Vendimi është bërë i ditur gjatë një komunikimi për mediat nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës. Ai tha se ecuria e ekonomisë botërore tregon për vazhdimësinë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik, impakt i cili pritet të reflektohet dhe në ekonominë shqiptare. “Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare në vazhdimësi të misionit të saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe e orientuar drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë së çmimeve, në përputhje me objektivin e saj”, deklaroi Fullani. Sipas tij, Banka Qendrore do të vazhdojë të monitorojë me kujdes të veçantë çdo informacion mbi zhvillimet ekonomike.