E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditimi i biznesit, në nivele të ulëta

28/04/2010 Banka

Apelet e shpeshta të guvernatorit ndaj bankave për të rifilluar kreditimin e ekonomisë nuk kanë mjaftuar për të çliruar kredinë nga ngërçi. Të dhënat e fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë dëshmojnë se kredia për ekonominë mbetet e shtrënguar. Rritja është minimale, disa herë më e ulët se sa mesatarja e 5 viteve të fundit. Sipas Bankës në fund të shkurtit, kredia totale për ekonominë ishte 8 për qind më shumë se sa shkurti i vitit 2009, por periudhën shkurt 2008-shkurt 2009, rritja ka qenë 33 për qind. Politika shtrënguese e bankave ka prekur më shumë individët. Në fund të shkurtit, kredia për individët ishte në total, 139 miliardë lekë, vetëm 1.4 për qind më shumë se sa shkurti i 2009-ës. Një vit më parë norma e rritjes ka qenë 25 për qind. Të dhënat e detajuara të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në ngërç është kryesisht kredia për ndërtimin, e cila këtë vit është 6 herë më pak se sa një vit më parë. Banka e Shqipërisë thotë zyrtarisht se situata e likuditetit në bankat private është e mirë, sidomos tani kur depozitat kanë rifilluar të rriten.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›