Komision shumëpërfshirës për përgatitjen e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë Flamuri i Shqipërisë

Kryeministri Besrisha njoftoi sot ngritjen e një komisioni, me pjesëmarrje të gjerë e të kryesuar nga Kryeministri, për përgatitjen e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Duke folur në mbledhje të Këshillit të Ministrave, kreu i Qeverisë theksoi se “100 vjetori i pavarësisë përbën festën më të madhe për mbarë kombin shqiptar”. “Në këtë mandat, kryengjarja e Shqipërisë dhe shqiptarëve, pas liberalizimit të vizave, është 100 vjetori i pavarësisë së vendit. 100 vjetori i pavarësisë përbën festën më të madhe për mbarë kombin shqiptar”, u shpreh Berisha. Sipas tij, Shqipëria shkon në këtë 100 vjetor, siç e parashikuan dhe e projektuan ata që 98 vjet më parë, e shpallën shtet të pavarur, anëtare e NATO-s, kandidate e Bashkimit Evropian, shqiptarët të lirë pa viza, por edhe një vend me progres të madh në dy infrastrukturat, tokësore dhe atë dixhitale. Ai tha se komisioni duhet të jetë shumëpërfshirës, me faktorët më të rëndësishëm të kombit, në Shqipëri dhe jashtë saj, të qeverisë qendrore dhe asaj vendore, të botës akademike dhe shoqërisë civile. Për mënyrën e konceptimit të tij, kreu i ekzekutivit udhëzoi ngritjen e një grupi pune, të drejtuar nga zëvendëskryeministri. “Komisioni, duhet të ndërtohet dhe fillojë nga puna sa më shpejt. Mendoj që një grup, me në krye zëvendësministrin, të merret me konceptimin e komisionit, i cili do të kryesohet nga kryeministri dhe të fillojë punën. Të bëjmë çdo përpjekje që Shqipëria të takohet me 100 vjetorin e vet në mënyrën më dinjitoze të mundshme”, tha më tej, Sali Berisha.