E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Paratë e shqiptarëve, të sigurta në bankat vendase

Kriza globale dhe falimentimi i disa bankave në Amerikë apo dhe në Evropë, padyshim që ka ngjallur frikë edhe tek qytetarët shqiptarë që kanë kursimet e tyre në bankat vendase. Por Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka garantuar gjithë shqiptarët se paratë e tyre janë të sigurta në bankat shqiptare, pasi asnjëra prej tyre nuk rrezikon të falimentojë. Këtë deklaratë Guvernatori Fullani e bëri dje në konferencë shtypi, ndërsa bëri publik raportin e miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës, i cili analizoi dje zhvillimet më të fundit të sektorit bankar shqiptar. Fullani ka deklaruar i pyetur nga gazetarët, se sistemi bankar shqiptar ka siguri. “Garancia e plotë është sistemi i sigurt bankar shqiptar, i cili është i mirëkapitalizuar, likuid dhe i mbikëqyrur nga Banka e Shqipërisë. Kjo është garancia e parë dhe garancia tjetër e madhe është vetë sistemi rregullativ i Bankës së Shqipërisë, i cili siguron të gjitha parakushtet për një zhvillim të qëndrueshëm të sistemit financiar dhe bankar në Shqipëri”, - është shprehur Fullani. Sipas Fullanit, depozitat e shqiptarëve janë tepër të sigurta, pasi Shqipëria nuk është vend “i intoksikuar”, është i sigurt. Sistemi bankar shqiptar nuk ka investuar në produkte të “intoksikuara”. Nuk ka asnjë krahasim me vendet e tjera, të cilat kanë banka dhe institucione financiare me humbje të mëdha nga investimet. Ai nënvizoi se sistemi bankar shqiptar nuk ka aktive të tilla, gjë që shton sigurinë e vetë sistemit dhe qëndrueshmërinë e tij. “Ky sistem sipas të gjitha parametrave, si ato të kapitalit, të likuiditetit, të investimit dhe të fitimit, është brenda parametrave normalë të një sistemi të qëndrueshëm dhe kjo është garancia për sistemin bankar shqiptar. Mbi të gjitha, rezerva e detyrueshme dhe sigurimi i depozitave janë rrjetat mbrojtëse të këtij sistemi”, - theksoi Guvernatori. Fullani ka folur edhe për efektet që mund të ketë kriza globale në ekonominë shqiptare. Sipas Guvernatorit, një krizë e zgjatur dhe e rënduar, në rast se do të vazhdojë në ekonominë globale, do të ketë kryesisht efektet e saj mbi eksportet dhe investimet direkte, por duke pasur parasysh përdorimin e të ardhurave nga emigracioni kryesisht për import, kjo do të jetë një mbështetje e mirë për të mos pasur një ndikim më të fortë në këtë drejtim. Fullani shtoi ndër të tjera se një garanci tjetër është fakti që zhvillimi i ekonomisë shqiptare bazohet në kërkesën e brendshme, e cila ka për burim kryesor kredinë nga sistemi bankar dhe mbështetet në reforma të mira strukturore.

Megjithatë, Fullani tha se Banka e Shqipërisë do të marrë masat e saj për t’iu paraprirë efekteve negative. Ai theksoi mbi të gjitha se si fillim bankat shqiptare nuk kanë asnjë ekspozim ndaj produkteve të intoksikuara, si fazë e parë. Ndërsa shtoi se si fazë të dytë, BSH do të shohë se si do të zhvillohet dhe do të ecë ekonomia botërore, kush do të jenë ndikimet në ekonominë botërore, si do të jetë ngadalësimi dhe sa do të zgjasë ai. Por kjo është një fazë tjetër, e cila nëse do të ndodhë do të ketë pasojat e saj si në ngadalësimin e eksporteve, të investimeve të huaja etj. BSH do të marrë masa për të krijuar të gjitha kushtet që sistemi bankar të jetë një sistem i mirëkapitalizuar, solid dhe likuid. Nga ana tjetër, Fullani tha se BSH do të rrisë kontrollin ndaj kredive me probleme.

BSH: Gjashtëmujori i parë 2008, situata financiare e stabilizuar

Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së analizoi dje në mbledhjen e radhës stabilitetin financiar për periudhën 6-mujore të vitit 2008. Guvernatori Fullani bëri publike deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës, i cili ka arritur në përfundimin se sistemi bankar shqiptar është i sigurt, i mirëkapitalizuar, fitimprurës dhe likuid. BSH vëren se të gjithë treguesit e analizuar konfirmojnë për një gjendje të shëndetshme, ndërkohë që asnjë prej bankave që operon në Shqipëri nuk ka investuar në asnjë lloj forme në aktivet e intoksikuara, të cilat siç dihet, kanë qenë faktori kryesor që ka rënduar situatën financiare globale. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, zhvillimet e brendshme makroekonomike nuk rrezikuan qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Aktiviteti ekonomik i vendit vlerësohet të jetë zhvilluar në përputhje me programin afatmesëm të zhvillimit ekonomiko–financiar të vendit, e, për rrjedhim objektivi për një rritje të ekonomisë në nivelin 6 për qind, duket se do të përmbushet edhe gjatë vitit 2008. Presionet inflacioniste edhe pse kanë qenë të pranishme në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, janë zbehur konsiderueshëm në periudhën në vijim. Politika fiskale ka mbështetur krijimin e një teprice buxhetore pozitive gjatë periudhës. Gjatë gjithë gjashtëmujorit të parë, Banka e Shqipërisë e mbajti të pandryshuar nivelin e normës bazë të interesit prej 6.25 për qind, duke e gjykuar këtë nivel, të përshtatshëm për të ruajtur ekuilibrat makroekonomikë. Banka e Shqipërisë ka monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën e likuiditetit të tregut ndërbankar dhe nëpërmjet përdorimit të instrumenteve përkatëse financiare, ka synuar ruajtjen e qëndrueshmërisë në nivelin e likuiditetit dhe të normave të interesit. Pasojat e krizës financiare dhe të rritjes së çmimeve të produkteve energjetike dhe ushqimore, u materializuan në formën e humbjeve të konsiderueshme në bilanc për institucione të rëndësishme financiare, në rritje të kostos së prodhimit dhe të nivelit të përgjithshëm të çmimeve, ulje të konsumit, ngadalësim të rritjes ekonomike dhe rritje të papunësisë. Analizat e skenarëve të rrezikut konfirmojnë se sektori bankar është në gjendje të mirë për të përballuar rreziqet e ndryshme, që mund të rrjedhin si rezultat i lëvizjeve të padëshirueshme në kursin e këmbimit dhe në normat e interesit. Megjithatë, nevojitet një ndjekje e kujdesshme e ecurisë së cilësisë së aktiveve dhe ka ardhur koha për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe ecurisë së treguesve të likuiditetit.

Në rastin e sektorit bankar, cilësia e portofolit të kredisë paraqitet tërësisht e kontrollueshme. Rritja e shpejtë e kredisë dhe vështirësitë që mund të ndeshin sektorë të veçantë të ekonomisë, që janë kredituar në mënyrë të ndjeshme, janë faktorë që do të vijojnë të ushtrojnë presion mbi cilësinë e kredisë në të ardhmen. Për këtë qëllim, bankat të ndjekin një politikë të identifikimit sa më të shpejtë të kredisë me probleme dhe të krijojnë menjëherë fondet përkatëse rezervë. Banka e Shqipërisë do të rrisë numrin e kontrolleve për të verifikuar këtë proces.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›