E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon gjyqi i pedofilisë, gjyqtarët “i përzënë” nga Gjykata e Tiranës

Skandal në Gjykatën e Tiranës, gjyqtarët penalistë nuk lejohen të zhvillojnë gjyqin në ngarkim të dy britanikëve të akuzuar për pedofili. Justifikimi ka qenë se janë larguar nga kjo godinë dhe nuk kanë më punë të paraqiten për të zhvilluar gjyqe sërish në këto salla gjyqi. Mirëpo, zhvillimi i këtij gjyqi ishte lënë në këtë godinë, pasi vetëm aty mundësohej lidhja me video-konferencë, pasi në godinën ku tani ndodhen gjyqtarët penalistë të Gjykatës së Tiranës është ende si një kantier ndërtimi, ku nuk mund të futen makinat dhe të instalohen makinat lëvizëse të Televizionit Shqiptar. Për këtë arsye ishte vendosur që ky gjyq për arsye teknike të zhvillohej në këtë gjykatë, e cila ofron mundësinë e pyetjes së të miturve me video-konferencë. Por, vetëm dy ditë të larguar nga Gjykata e Tiranës për në atë ku më parë kishin qenë Krimet e Rënda, tre gjyqtarët, dy prokurorët e çështjes, avokatët, psikologia, dy të pandehurit, përkthyesi dhe dy fëmijët e mitur që priteshin të dëshmonin, nuk janë lejuar të vijojnë seancën nga kancelari i gjykatës, Ilir Sauli, duke u kthyer mbrapsht për në gjykatën tjetër, ku janë vendosur pas urdhrit të ministrit. Ndërkohë që edhe aty gjyqi u shty pasi makina e TVSH-së nuk mund të instalohej për të mundësuar video-konferencën, pasi në oborrin e gjykatës po punohet për tunelin e nëndheshëm që do lidhë burgun 313 me Gjykatën e re të Krimeve të Rënda. Një pjesë e oborrit është e hapur për tunelin dhe pjesa tjetër e mbushur me makineritë që merren me ndërtimin e tij. Gjyqi nuk mund të zhvillohej pa video-konferencë, pasi dy dëshmitarët janë të mitur dhe nuk mund të dëshmojnë përballë dy të pandehurve, me qëllim evitimin e tronditjes psikologjike. Të kontaktuar për këtë gjyq, togat e zeza shprehen vetëm se gjyqi u shty për arsye teknike, ndërkohë që burime të besueshme për gazetën treguan arsyen e vërtetë pse ky gjyq nuk po zhvillohej realisht, ndonëse në Gjykatën e Tiranës ishin të pranishëm të gjitha palët e interesuara, teknikët që do mundësonin lidhjen me video-konferencë, si dhe mediat që ndjekin çdo seancë të këtij gjyqi. Sipas burimeve, kancelari i gjykatës, Ilir Sauli, nuk i ka lejuar, me pretendimin se “gjyqtarët penalistë nuk kanë më punë të zhvillojnë gjyqe në këtë gjykatë, pasi kanë godinën e tyre dhe sallat ku mund të zhvillohet gjyqi”. Ndërkohë që sipas po të njëjtave burime, si kancelari, ashtu dhe kryetari i gjykatës kishin dijeni mbi gjendjen në të cilën është gjykata dhe pamundësinë për të zhvilluar procesin gjyqësor në këtë gjykatë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›