E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Qeveria të mos rrisë borxhin publik, ndikon në ekonominë e vendit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka kërkuar nga qeveria që të bëjë përpjekje për të mos rritur borxhin publik, pasi ai ndikon në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Periudha aktuale në ekonominë botërore përkon me fazën e korrektimit, e cila reflektohet në një rritje më të ulët ekonomike dhe ekuilibra të rinj në prodhim, në tregti, në shërbime,

në ndërmjetësimin financiar, në kursin e këmbimit dhe në buxhetet familjare. Në vetvete këto ekuilibra të rinj nuk përfaqësojnë një fazë apo një evoluim të ri të krizës. Ato përfaqësojnë ekuilibra të qëndrueshëm në kushtet e reja. Deformimet në tregjet financiare dhe mungesa e racionalitetit në sjelljen konsumatore vlerësohet të jenë shkaktarët kryesorë të krizës, për shkak se niveli i tyre gjatë periudhës së fryrjes së tullumbaces, nuk ishin në përputhje me ekuilibrat e qëndrueshëm afat gjatë të ekonomisë.
Rrjedhimisht, ideja për të vazhduar mbështetjen e ekonomisë, përshpejtimin e prodhimit, të konsumit dhe të ndërmjetësimit financiar me të njëjtat ritme dhe instrumenta do të ishte e ngjashme me stimulin që dhanë tregjet financiare në periudhën që i parapriu krizës. Me fjalë të tjera, ndjekja e të njëjtave politika në kushtet aktuale dhe të ekuilibrave të rinj, do të shkaktonte në afatin e mesëm zhbalancime të mëdha ekonomike dhe financiare të cilat më shumë do ta dëmtonin ekonominë sesa do ta ndihmonin atë.  Nga këndvështrimi i mësipërm, natyra e politikave stimuluese sot dhe në të ardhmen, duhet të synojë minimizimin e kostove të efekteve anësore që kanë shkaktuar politikat ekspansioniste të viteve. Një vend shumë të rëndësishëm në këtë drejtim zë edhe ulja e borxhit që u krijua gjatë ekspansionit fiskal dhe e kostos së tij. Në këtë kuadër, të gjithë autoritetet fiskale duhet të punojnë jo vetëm për të mos krijuar borxh të ri, por edhe për të shlyer borxhin e vjetër me eficencë maksimale. Strategjitë e daljes nga borxhi që në vetvete përfshijnë edhe zëvendësimin e borxhit të vjetër të shtrenjtë me një borxh të ri më të lirë, janë shumë të rëndësishme dhe të mirëpritura. Në kushtet aktuale, kur rritja e mëtejshme e borxhit është një ngjarje me probabilitet të lartë ndodhjeje, politikat për të mbështetur ekonominë me shpenzime është e kufizuar nga pamundësia e ekonomisë për të gjeneruar rritje ekonomike. Duke e zhvendosur fokusin e diskutimit në realitetin e ekonomisë sonë, për të ruajtur nivelin e borxhit dhe stabilitetin makro-financiar është e nevojshme që të kufizohen shpenzimet në përputhje me të ardhurat. Strategjitë e menaxhimit dhe reduktimit të borxhit nuk janë vetëm pjesë e politikave makroekonomike. Është e nevojshme që këto strategji të shtrihen në çdo qelizë të ekonomisë, në çdo rast kur bilancet në nivel mikroekonomik janë rënduar nga borxhi. Ristrukturimi dhe rifillimi i aktivitetit kreditues nuk mund të bëhet pa lënë mënjanë pjesën e sëmurë dhe të keqe të bilancit. Duhet që të gjendet një model i ri i rritjes ekonomike në afatin e gjatë i aftë për të absorbuar burimet financiare veçanërisht ato të huaja dhe për të gjeneruar rritje ekonomike. Hapi i parë në këtë drejtim është identifikimi i avantazheve konkurruese që sjell ekonomia shqiptare dhe përshpejtimi i reformave strukturore në ekonominë shqiptare rreth këtyre prioriteteve.

Last Updated on E Enjte, 04 Mars 2010 23:42

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›