Fullani: Rritja e çmimeve nuk do të zgjasë shumë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha dje në konferencën e përbashkët për shtyp me FMN-në dhe Ministrinë e Financave, se rritja e çmimeve nuk do të zgjasë shumë. “Banka e Shqipërisë parashikon se tejkalimi i nivelit 4 për qind të inflacionit do të jetë i shkurtër në kohë dhe nuk do të pasohet nga presione të qëndrueshme inflacioniste. Projeksionet tona tregojnë se inflacioni i çmimeve të konsumit do të zbresë gradualisht drejt objektivit tonë prej 3 për qind gjatë vitit 2010”, tha guvernatori. Ai tha gjithashtu se Banka e Shqipërisë mbetet e vendosur të marrë të gjithë hapat e duhur për të garantuar këtë ecuri dhe për të përmbushur mandatin ligjor për stabilitet çmimesh në ekonomi. Duke folur për situatën ekonomike, kreu i BSH-së tha se më e keqja ka kaluar, megjithatë duhet pasur kujdes për menaxhimin e situatës aktuale, duke theksuar një disiplinë më të madhe fiskale.
#