E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartelat e pacientëve, të informatizuara

Spitalet në vend, me të dhëna në rrjet. Nis matja e kostos për çdo shërbim, hartimi i protokolleve të mjekimit

Kartelat e pacientëve në të gjitha spitalet e vendit, lista e barnave që disponon çdo shërbim në spital, blerjet apo gjithçka tjetër që kanë lidhje me marrëdhënien pacient-mjek do të informatizohen. Të paktën kështu është deklaruar nga kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ndërkaq pritet të përfundojë kostifikimi për çdo shërbim dhe në këtë linjë të hartohen përfundimisht protokollet e mjekimit për çdo sëmundje.

Dje, ministri i Shëndetësisë ka njoftuar zyrtarisht dhe publikisht se të gjitha këto janë pjesë e reformave të sistemit shëndetësor, por nga ana tjetër e njëjta deklaratë dhe e njëjta nismë është proklamuar edhe më parë edhe nga ministrat e tjerë të Shëndetësisë apo përfaqësues të politikave shëndetësore.

Ideja e parë e informatizimit të të dhënave, kartelave mjekësore dhe informacioneve më të rëndësishme të sistemit spitalor është publikuar pesë vite më parë nga ish-drejtori i Qendrës Spitalore Universitare, Paskal Cullufi. Ndërkohë që afishimi i protokolleve të para të mjekimit janë kërkuar të realizohen në të njëjtën kohë, të paktën për pacientët talasemikë, fill pas skandalit të infektimit të fëmijëve me HIV/AIDS dhe Hepatit.

Proceset e reja

Ministri i Shëndetësisë bëri publike dy rrugë të reja, në të cilat do të ecë reforma në sistemin shëndetësor shqiptar, dixhitalizimi dhe informatizimi i të gjithë sistemit, si dhe hartimi i protokollit të mjekimeve dhe kostifikimi i shërbimeve shëndetësore. “Jam përpara jush për t’i komunikuar opinionit publik fillimin e dy proceseve shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me reformën në shëndetësinë shqiptare. Sistemi i dixhitalizimit dhe informatizimit të të gjithë sistemit në të gjitha nivelet e tij, që do të shoqërohet nga një informatizim intensiv, që nga qendrat universitare dhe deri te spitalet më të largëta. Dhe së dyti, procesin intensiv të hartimit të protokolleve të mjekimit dhe kostifikimit të shërbimit shëndetësor”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas tij, përfundimisht shërbimi shëndetësor do të jetë i informatizuar, pra mundësia e monitorimit dhe ndjekjes së tij “online”. Kjo për të shmangur çdo lloj keqkuptimi qoftë me shërbimin që ofrohet, furnizimin me barna, shërbimet mjekësore, kartelën klinike.

çmimi

Mendohet se kostoja e shërbimit shëndetësor nuk do të jetë më empirike, por do të llogaritet në mënyrë të saktë. çdo gjë do të ketë një çmim dhe do të financohet duke u bazuar mbi këto kritere.
Këto reforma ndërmerren me nismën profesionale dhe politike të Task Forcës e ngritur pranë Këshillit të Ministrave, strukturë e cila ka diskutuar çështjet që duhen ndjekur me prioritet, në kuadrin e reformës.

“Ne do të kemi mundësinë që në javët dhe në muajt në vijim të informojmë gradualisht mbi implementimin e këtyre reformave në të gjithë territorin e republikës, mbi gjithë sistemin shëndetësor publik”, sqaroi kreu i Shëndetësisë.

Sipas tij, sa i takon sistemit farmaceutik dhe atë privat, do të kemi dy transformime.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›