Fullani: Shqipëria e rajoni ka nevojë të thithë më shumë kapital të huaj
Shqipëria, vendet e rajonit dhe ato të Evropës Juglindore pak krizës ekonomike që kaloi gjithë sistemi bankar global, po kërkojnë të sjellin risi në politikbërjen e tyre për të zhvilluar më tej këtë sektor kaq të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi. Hartimi i politikave të reja për të gjetur modelin e ri të rritjes ekonomike, është synimi kryesor për përfaqësuesit e bankave qendrore të vendeve të Ballkanit dhe Evropës Juglindore. Gjetja e mundësive për ndërtimin e këtyre kapaciteteve të reja dhe shkëmbimi i ideve ka qenë dhe qëllimi kryesor i “work shop”-it të iniciuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Mbi këtë iniciativë të kryetitullarit, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me “Center of Excellence in Finance” (CEF) – Slloveni, si dhe me mbështetjen e Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, organizoi takimin “Ndërtimi i kapaciteteve për hartimin dhe zbatimin e politikave”. Ky takim adresoi sfidat kryesore që shoqërojnë hartimin dhe ankorimin e politikave, me një theks të veçantë në ndërtimin e kapaciteteve individuale dhe institucionale në këtë fushë shumë të rëndësishme. Takimi, i cili organizohet për herë të parë në Shqipëri, mblodhi përfaqësues nga bankat qendrore dhe ministritë e financave të vendeve të Evropës Juglindore si: Bosnje–Hercegovina, Bullgaria, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Turqia, Serbia, Shqipëria. Lektorët kryesorë do të jenë nga “Center of Excellence in Finance” (CEF), Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në fjalën e tij të hapjes, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, theksoi rëndësinë e ndërtimit të politikave të duhura ekonomike për të identifikuar modelin e ri të rritjes ekonomike, post-krizë, në qendër të të cilit do të jetë thithja e kapitalit të huaj në rajon. Ai sugjeroi ndërmarrjen e politikave fiskale që shmangin rrezikun si dhe ndërmarrjen e reformave të duhura strukturore për përmirësimin e mjedisit të biznesit, të cilat natyrshëm do të ndihmojnë në rritjen e flukseve të reja hyrëse të kapitalit dhe do të çojnë drejt një rritje të fuqishme dhe të qëndrueshme të tyre. Gjatë diskutimit me pjesëmarrësit, Guvernatori ka parashtruar nevojën për të kthyer institucionet evropiane dhe procesin e integrimit në një ankorë të jashtme të mirëfilltë, të fortë dhe eficiente. Sipas Guvernatorit, forcimi i ankorave të jashtme në një periudhë afatmesme, është një domosdoshmëri dhe politikat evropiane apo vetë institucionet e BE-së mund dhe duhet ta luajnë këtë rol. Aktualisht, procedurat e mbikëqyrjes fiskale të zbatuara prej BE-së ofrojnë një ankorë “të natyrshme” në periudhë afatgjatë për vendet e rajonit, por do të ishte e arsyeshme që këto procedura të forcoheshin më tej, ndonëse gradualisht, me qëllim që të sigurojnë një dialog më të thellë e më të efektshëm. Nga ana tjetër, vetë procesi i Lisbonës megjithëse është shumë përfshirës në prioritetet e tij, përsëri nevojitet një përcaktim më i saktë strukturor për rolin dhe ndihmën që FMN, Banka Botërore dhe BERZH-i, do të jepnin në ankorimin e veprimeve të vendeve, me qëllim përmirësimin e mjedisit të biznesit. Po kaq rëndësi kanë dhe ankorat e brendshme të vetë vendeve të rajonit, duke nënkuptuar hartimin e politikave ekonomike financiare të shëndosha nga njëra anë dhe krijimin e kapaciteteve të duhura për asimilimin dhe zbatimin e tyre në praktikë nga ana tjetër.