Pezullohet nga gjykimi Marsela Balili, zëvendësohet nga tjetër gjyqtar
Pas vendimit të KLD-së, gjyqtarja Marsela Balili pezullohet nga të gjitha çështjet gjyqësore në të cilat ishte kryegjyqtare apo pjesë e trupit gjykues. Madje, dy ditë më parë, përmes shortit të hedhur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Marsela Balili u zëvendësua menjëherë si kryegjyqtare e Bandës së Lushnjes me gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Albert Meçe. Madje, pas këtij zëvendësimi, vetëm salla dhe prokurorët janë të Krimeve të Rënda, pasi të pestë gjyqtarët e trupës gjykuese janë gjyqtarë të Gjykatës së Tiranës, disa të seksionit penal dhe disa të seksionit civil. Gjyqtarja nën hetim do të vazhdojë e pezulluar nga gjykimi i çdo procesi derisa prokuroria e Durrësit të qartësojë pozicionin e saj në akuzën e ngritur për “korrupsion pasiv”. Vetëm një vendim pushimi të hetimeve nëse znj. Balili del e paimplikuar apo një vendim gjykate që e shpall atë të pafajshme nga akuzat, e rikthen atë në funksionin e mëparshëm, atë të gjyqtares pranë Krimeve të Rënda.
Vendimi
Në mbledhjen e dy ditëve më parë, me kërkesë të prokurorisë së Durrësit, KLD miratoi dhënien e autorizimit për procedim penal ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Marsela Balili, duke passjellë si vendim lejimin për kryerjen e hetimeve nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila ka regjistruar emrin e gjyqtares në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar asaj veprën penale të parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Dyshohet se procedimi ndaj gjyqtares ka lidhje edhe me procedimin që ka nisur ndaj bashkëshortit të saj Aleksandër Plepi, i akuzuar dhe nën hetim tashmë për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek personat që ushtrojnë funksione publike”. Sipas hetimeve, dyshohet se prokurori ka ndikuar në çështjet që ka pasur nën gjykim bashkëshortja për t’i ulur masën e dënimit, kundrejt shumave të konsiderueshme eurosh. Bëhet fjalë për çështjen e Besnik Brakës, për të cilin dyshohet se prokurori do të përfitonte 50 mijë euro në këmbim të uljes së dënimit. Nga shqyrtimi i dosjes së Brakës, sipas burimeve, rezulton që gjykata të ketë lënë në fuqi masën e dënimit të dhënë nga prokurori, ndërkohë që shpallja e vendimit është shtyrë për rreth 3 muaj.