Fullani: Shqiptarët po konsumojnë me borxh
Ekonomia shqiptare po konsumon përtej mundësive të saj, duke krijuar mundësi të pastra për thellimin e borxhit. Ky ka qenë dje alarmi që ka lëshuar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në një tryezë punë në bashkëpunim me Universitetin e Oxfordit, për një model të ri zhvillimi ekonomik rajonal. Ai tha se, burimet ekonomike të përdorura deri më tani nuk janë më eficente dhe efektive për një rritje të qëndrueshme të vendit, prandaj duhen burime të reja. Guvernatori ka deklaruar dje në seminarin e organizuar, në bashkëpunim me Universitetin e Oxfordit, për zhvillimin ekonomik të rajonit në kuadër të marrëveshjes dyvjeçare me këtë universitet, se duhen identifikuar mundësi afatmesme dhe afatgjata të rritjes ekonomike dhe mirëqenies në Europës Juglindore, pasi financimi nga borxhi i jashtëm nuk po jep rezultat për një rritje të qëndrueshme të ekonomisë së vendit. “Kriza e fundit globale dëshmoi se modelet ekonomike, që bazohen kryesisht te borxhi dhe kërkesa e brendshme, nuk janë të qëndrueshme. Për këtë arsye, vendet e rajonit duhet të fokusohen, në mënyrë të koordinuar në identifikimin e prioriteteve dhe strategjive ekonomike në të ardhmen, që garantojnë stabilitet makrofinanciar dhe rritje të qëndrueshme. Sfidat më imediate, që janë dhe ato me orientim afatgjatë, mbeten rritja e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit të ekonomive në rajon. E ardhmja e ekonomive tona i përket institucioneve të tregut. Për këtë qëllim, dhe reformat strukturore duhet të synojnë faktorë të tillë si klima e biznesit, konkurrueshmëria e faktorëve të prodhimit, përmirësimi i tregut të punës, zgjerimi dhe thellimi i tregut financiar, si dhe një sërë komponentësh të tjerë që do të siguronin rritje të qëndrueshme dhe punësim”, - u shpreh Guvernatori Fullani. Sipas tij, për të qenë të konkurrueshëm globalisht si rajon, filozofia e rritjes duhet të bazohet në ngritjen e kapaciteteve dhe në bashkëpunimin rajonal, duke vënë në mënyrë eficiente faktorët e prodhimit në rajon në funksion të rritjes së investimeve e zhvillimit rajonal. Fullani gjykon se, duke qenë se ekonomitë e rajonit kanë struktura të ngjashme ekonomike dhe partnerë të njëjtë tregtarë, ndjekja e strategjive individuale do të nxiste një konkurrencë brenda rajonit, ku fitimet e secilit vend do të rezultonin suboptimale. Dhe, për të shmangur një lojë me shumë zero, sipas tij, duhet të balancohen avantazhet e dizavantazhet individuale, e fokusi të jetë në strategjitë e bashkëpunimit nëpërmjet koordinimit. “Bankat qendrore vazhdojnë të japin kontributin e tyre në këtë drejtim. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar jo vetëm për garantimin e kushteve të stabilitetit për zhvillimin e një aktiviteti ekonomik fitimprurës, por edhe për të shtyrë bashkëpunimin me bankat homologe të rajonit, e aktorë të tjerë brenda dhe jashtë vendit në kuadër të debatit e më tej rekomandimeve konkrete, për një model rajonal të rritjes së qëndrueshme ekonomike”, - tha Fullani. Seminari në fjalë, ku morën pjesë akademikë nga rajoni, pati në qendër të diskutimve identifikimin dhe analizimin e sfidave kryesore ekonomike në nxitjen e rritjes së qëndrueshme në rajon; identifikimin e hapësirave dhe niveleve të bashkëpunimit intensiv rajonal; eksplorimin e rolit të institucioneve dhe ankorave të jashtme në rritjen e bashkëpunimit rajonal. Në shtator të vitit 2010, Banka e Shqipërisë nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Oksfordit. Qëllimi i bashkëpunimit është kryerja e kërkimeve shkencore për nxitjen dhe thellimin e njohurive mbi politikat ekonomike dhe sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rajoni; vlerësimi i mundësive politike për nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike në rajon si dhe integrimi në Bashkimin Evropian.