E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ridvan Bode: Pasojat e krizës, ekonomia në terren të panjohur

SHKRUAN: Blerina Hoxha 22-06-2011 11:29

Ekonomia nuk do të kthehet më në periudhën e para krizës, ndaj qeveritë, bizneset dhe të gjithë aktorët e tjerë ekonomikë, duhet të përshtaten me kushtet e reja në të cilat kriza globale e ka vënë prespektivën ekonomike. Ky ka qenë thelbi i qëndrimit të ministrit të Financave, Ridvan Bode, në lidhje me modelin e ri ekonomik që duhet të aplikojë vendi në të ardhmen. Shumë aktorë ekonomikë presin që të rikthehen kushtet e periudhës së para krizës, që ata të jetojnë edhe një herë në atë lumë likuiditeti, që ata ta kenë po aq të lehtë garën e konkurrencës së brendshme dhe rajonale, tha Bode. “Në vend që të presim që ato kohëra të kthehen, dhe unë shpresoj shumë pak që ato kohëra të rikthehen, duhet që të përveshim krahët për t’u përshtatur në këtë botë të re ekonomike, pas krize, ku çdo biznes dhe çdo vend kanë shumë për të reflektuar dhe për të bërë”, ka bërë thirrje numri një i Financave. Sipas tij, faza në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare dhe niveli rritjes ekonomike të Europës Juglindore, e fokuson diskutimin në disa çështje themelore të zhvillimit. Në krye të listës qëndron fuqizimi i mëtejshëm i përpjekjeve institucionale, për ta orientuar ekonominë drejt rritjes së konkurrueshmërisë së eksporteve shqiptare dhe eksporteve të secilit vend. Aspirata e vendit tonë, për të përshpejtuar ritmin dhe zgjeruar fluksin e eksporteve, mund të realizohet vetëm me anë të një angazhimi të plotë dhe të gjithanshëm ndërsektorial, në rritjen e konkurrencës së prodhimit të prodhuesve shqiptare, me synim rritjen e eksportit të tyre, ka thënë Bode. Një synim i tillë mund të arrihet nëpërmjet mbështetjes financiare, që sektori publik dhe privat do t’i ofrojë propozimeve sipërmarrëse me vlerë të shtuar reale. Në kohën kur produktet e rajonit ballafaqohen me konkurrencë të ashpër nga vende të tjera të ngjashme për nga oferta e eksporteve, Shqipëria dhe rajoni nevojitet të bashkëpunojnë dhe të bashkërendojnë përpjekjet e tyre, për të minimizuar ekstremitetet negative të sistemeve tona ekonomike, që vihen re. Bode vuri theksin në linjat që mund të bëjnë Shqipërinë konkurruese në eksport. Në sektorin e industrisë së rëndë, sipas tij, nevojitet krijimi i kapaciteteve shfrytëzuese, i burimeve që tashmë na i ka dhënë natyra. Nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve në shumë pjesë të vendit, dikton një sektor të rëndësishëm në mbështetje të rritjes së nivelit të konkurueshmërisë së ekonomisë shqiptare. Sektori i turizmit është gjithashtu një sektor i rëndësishëm i rritjes ekonomike në Shqipëri, i cili do të përfitonte së tepërmi nga rakordimi rajonal, për krijimin e një produkti turistik konkurrues në nivel më global, shtoi Bode. Sipas tij, vendet e rajonit kanë ngjashmëri të pamohueshme gjeografike dhe nivel të përbashkët malor, detar dhe fushor. Rrjedhimisht produkti turistik tenton të shkojë drejt njehsimit të pashmangshëm, duke bërë që tiparet konkurruese të ofertës turistike të njërit vend të mos dallojnë ndjeshëm nga oferta turistike e vendit tjetër. Në këtë situatë kaq të rëndësishme, që bashkëpunimi rajonal ndërmjet operatorëve të fokusohet në novacionet tregtare për këtë sektor, në mënyrë që rajoni të shihet si një tërheqje turistike në vetvete dhe si i tërë. Energjia është një sektor tjetër që, sipas Bodes, Shqipëria mund të sigurojë konkurrencë në eksport. Shqipëria, ashtu sikurse i gjithë rajoni i Europës Juglindore, përbën një nga zonat gjeografike më të përshtatshme për zhvillimin e burimeve të energjisë së pastër. Edhe në këtë sektor, bashkërendimi i përpjekjeve rajonale për krijimin e një oferte unike në nivel global do të ishte një sipërmarrje e rëndësishme, tha ministri i Financave. Një tjetër çështje themelore për zhvillimin e vendit tonë dhe më gjerë është përqasja mbështetëse ndaj investimeve të huaja, çka lidhet ngushtë me rritjen e konkurrueshmërisë së vendit tonë dhe të rajonit në përgjithësi. Kapacitetet ekonomike të vendeve të rajonit mbeten ende të nënshfrytëzuara dhe ekonomia në ekuilibër kërkon rendiment të lartë të balancimit të faktorëve të prodhimit – përfshi këtu edhe sistemin e kreditimit – me kërkesën e brendshme dhe të jashtme të vendeve, tha Bode. Investimet e huaja janë inkurajuar historikisht të marrim pjesë në përshpejtimin e shfrytëzimit të kapaciteteve ekonomike, demografike, dhe gjeografike të vendit tonë, si dhe të kapaciteteve tregtare të rajonit. “Në këtë pikëpamje është e rëndësishme që institucionet përkatëse në nivel rajonal, kombëtar, dhe lokal, të ndërmarrin përpjekjet e duhura për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave, shkëmbimin e informacionit, si dhe lëvizjen e lirë të faktorëve”, tha Bode. Në kuptimin e tregtisë ndër-rajonale, mbetet jetike ulja e barrierave të ndryshme që pengojnë qarkullimin e lirë të faktorëve, si dhe të mallrave apo shërbimeve. Tarifat doganore dhe barriera të tjera, që rrisin kohën e arritjes së ekuilibrit në treg, nevojiten të eliminohen tërësisht, veçanërisht në kuadër të një procesi, një bashkëpunim rajonal dhe jo vetëm të një produkti final i integrimit europian. Sigurisht, deri në ditët e sotme është bërë progres i pamohueshëm në këtë drejtim, dhe kontributi për këtë ka qenë i gjithanshëm nga të gjitha vendet. “Ne mund të mendojmë dhe të bëjmë realitet një hapësirë ekonomike rajonale pa barriera doganore e kuota tregtimi. Eksperiencat në botë janë të shumta. Në ditët e sotme, dhe sidomos në sajë të globalizimit, burimi i avantazheve krahasuese dhe konkurruese nuk qëndron më në një vend të vetëm. Faktorë të tillë të ekonomisë së shkallës, kostoja e krahut të punës, dhe burimet e novacioneve bëhen të mundura tashmë nëpërmjet bashkëpunimit rajonal, dhe që një proces i tillë të ndodhë, lipset medoemos eliminimi i diskordancave institucionale nëpërmjet vendeve të rajonit. Sigurisht që zhvillimi i deritanishëm i ekonomisë shqiptare ka qenë i tillë, që ka mbështetur gjithmonë krijimin e linjave të përbashkëta me vendet e tjera, por megjithatë, një proces i tillë duhet të çimentohet më tej, të sigurohet me sipërmarrje specifike dhe angazhim të drejtpërdrejtë të institucioneve respektive të vendeve të rajonit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›