E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsia, 400 teste të dyshuara për kopjim

SHKRUAN: Jonida Tashi 22-06-2011 11:34

Testet e të paktën 400 maturantëve që dyshohet se kanë kopjuar në provimin e parë të Maturës, Gjuhë-Letërsi, janë drejt përfundimit të shqyrtimit, dhe mbi bazën e kësaj procedure do të përcaktohen edhe penalizimet për këta nxënës. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se për provimin e Letërsisë janë 400 teste të dyshuara për kopjim, thënë ndryshe gati 10% e maturantëve. Duke qenë se provimet e këtyre maturantëve janë duke u parë nga komisioni i posaçëm, për shqyrtimin e testeve që dyshohen për kopjim “KOPOTED”, ata nuk dinë ende se me çfarë note janë vlerësuar në provim, pasi nuk figurojnë në listën zyrtare të rezultateve të provimit të Letërsisë, të publikuar para pak ditësh nga Ministria e Arsimit. Specialistët e arsimit shpjegojnë se procedura e shqyrtimit të testeve për këta maturantë është drejt përfundimit dhe se brenda këtyre ditëve rezultatet e tyre do të dërgohen pranë shkollave përkatëse, në mënyrë që ata të njihen me notën që kanë marrë. Por, në rastet kur KOPOTED do të verifikojë se maturantët kanë kopjuar vërtet, ata do ndëshkohen me ulje pikësh, në varësi të pyetjeve që kanë kopjuar. Ulja e pikëve të provimit, për rrjedhojë edhe e notës, duket se është penalizimi më i lehtë për maturantët që kanë kopjuar, pasi sipas rregullores së Maturës, maturantit/kandidatit nuk i njihet rezultati i provimit, nëse në testin e tij vërtetohet kopja, e pjesshme ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED. Evidentimi i maturantëve që kanë kopjuar, përveç kapjes nga administratori i provimit, nis nga vlerësuesit e testeve që i dorëzojnë përgjegjësit përkatës të vlerësimit testet me parregullsi apo që dyshohen për kopje. Sipas rregullores së Maturës, përgjegjësi i vlerësimit, nga ana e tij, ia përcjell ato KOPOTED-it për shqyrtim. KOPOTED shqyrton të gjithë testet që raportohen nga vlerësuesit e testeve si të dyshimta për kopjim ose me parregullsi. Pas shqyrtimit nga KOPOTED, MASH ja paraqet zyrtarisht të dhënat dhe rezultatet e testeve të dyshuara për kopjim në AVA dhe APRIAL, për të nxjerrë edhe vlerësimin përfundimtar. Por, sipas autoriteteve të arsimit, testi i një maturanti nuk merret si i dyshimtë se ka kopjuar vetëm në rastin kur ai “kapet” nga sistemi, pra programi kompjuterik që bën procesin e bashkërendimit, por edhe kur nota që ai ka marrë në provim është 2.5 më shumë se ajo që ka pasur gjatë shkollës. Specialistët e arsimit shpjegojnë se kur diferenca nga nota mesatare e shkollës është më shumë se dy nota nga ajo e provimit, testi i maturantit për çdo provim do të shqyrtohet për kopjim. Kështu, nëse një maturantë gjatë shkollës së mesme e ka pasur notën mesatare të lëndës së Letërsisë, 6, ai sipas shpjegimeve të specialistëve nuk mundët që në provim të marri notën 8 apo 9, për shkak të nivelit që ka pasur në shkollë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›