E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Sistemi bankar në Shqipëri është i sigurt

29/04/2010 Bankat nuk rrezikohen nga kriza në Greqi, por ndikon emetimin e eurobondit

Bankat greke që operojnë në Shqipëri dhe përbëjnë 25 për qind të sistemit tonë bankar nuk rrezikohen nga kriza financiare që ka përfshirë vendin fqinjë. Në daljen e tij të radhës pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori Ardian Fullani garanton se këto banka janë likuide, të mirëkapitalizuara dhe të kontrolluara rreptësishtë nga Banka e Shqipërisë. “Sistemi bankar shqiptar është i veçantë, theksoi Fullani dhe bankat greke bëjnë pjesë në këtë sistem, çka do të thotë se ato janë entitete shqiptare të kontrolluara nga BSH. Duke sqaruar gjendjen financiare të këtyre bankave kreu i BSH-së, theksoi se “niveli i treguesve të këtyre bankave, treguesve të kapitaleve, likuiditetit, fitimit dhe treguesve të tjerë të supervizionit është më i mirë se standardi evropian dhe njëkohësisht më i mirë dhe dyfishi i treguesve të bankave mëma në Greqi. Bankat në Shqipëri gëzojnë aktivitet normal dhe karakterizohen nga rritje e vazhdueshme e depozitave”. Por kriza që ka përfshirë Greqinë nuk po hap probleme vetëm për gjendjen e bankave, por do të ndikojë edhe në procesin e emetimit të eurobondit të parë shqiptarë. Lidhur me këtë fakt Guvernatori Fullani deklaron se për shkak të këtij pozicioni Shqipëria do të monitorohet 24 orë nga institucionet financiare ndërkombëtare. “Bëhet një përqasje e detajuar e ekonomisë dhe njëkohësisht vlerësohet edhe situata e një vendi që ka prezencën e tij në vendin tonë. Megjithatë, unë doja të thosha që kjo nuk është një krizë e lokalizuar, pra kalon mbi situatat e një vendi. Me marrjen e eurobondit Shqipëria do të jetë e monitoruar 24 orë në 24 nga tregu ndërkombëtarë, çka do të thotë se përgjegjësia e institucioneve shqiptare monetare financiare do të jetë mjaft e madhe sepse të gjitha vlerësimet mbi ekonominë shqiptare do të jenë të kuotuara dhe të vështruara nga tregu për 24 orë”, deklaroi ai. Në deklarimin për mediat, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u fokusua edhe në situatën aktuale ekonomike krahasuar me atë të një viti më parë. Fullani tha se inflacioni në 3 muajt e parë të vitit 2010 ka shënuar 4.1 për qind. Sipas tij, në rritjen e inflacionit ndikoi rritja e çmimit të energjisë me 0.5 për qind. Gjithashtu, gjatë këtij prezantimi ai theksoi se vetëm për muajin mars, inflacioni shënoi 3.9 për qind, ndërkohë për sa i përket rritjes ekonomike krahasuar me një vit më parë edhe këtë vit ka rritje, porse vihet re se ka tkurrje në investimet private. Megjithëse Fullani përsëriti edhe njëherë se presionet inflacioniste nga krahu i ofertës do të jenë kalimtare, edhe këtë muaj Banka Qendrore vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë në 5.25 për qind. Më pozitive janë lajmet që vijnë nga sektori financiar. Guvernatori tha se gjendja e likuiditetit është plotësisht e normalizuar dhe madje Banka e Shqipërisë ka tërhequr disa nga masat e ndërmarra gjatë vitit të kaluar. "Ekonomia shënoi rritje në nëntë mujorin e parë të vitit 2009 dhe në tremujorin e fundit u tkurr. Kjo ecuri është përcaktuar nga tkurrja e investimeve private dhe publike, ashtu sikurse ngadalësimi i konsumit vetjak”, u shpreh Fullani. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi gjithashtu se prirjet për nivele të ulëta kreditimi gjatë vitit 2010 dhe nivele ende të larta të papunësisë do të kushtëzojnë ecurinë e kërkesës agregate në ekonominë globale.

Reforma e pensioneve

Një nga elementët e paktë që Fullani nuk e kishte përmendur në deklaratat e muajve të fundit është apeli i Bankës së Shqipërisë për reforma strukturore në ekonomi, nëpërmjet një sugjerimi konkret: reformën e sistemit të pensioneve, detyrë që prej vitesh është lënë mënjanë nga ekzekutivi shqiptar. Lidhur me këtë fakt Fullani deklaroi se “në veçanti, rritja e kursimit në ekonomi duhet të inkurajohet nëpërmjet thellimit dhe zbatimit të reformës në sistemin e pensioneve. Kjo reformë do të mbështesë qëndrueshmërinë afatgjatë të këtij sistemi, si dhe do të krijojë kushtet e duhura për gjenerimin e më shumë fondeve financiare të brendshme, duke i shërbyer edhe korrektimit të deficitit të llogarisë korente të vendit”. Megjithatë, lidhur me këtë fakt kanë nisur përpjekjet e para ku është organizuar një takim me përfaqësues të Bankës Botërore, si dhe partive të opozitës, por kjo reformë kërkon konsensus politik dhe shtrirje afatgjatë në kohë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›