Fullani: Sistemi ligjor pararendës për mbrojtjen e sistemit financiar

Tregu bankar dhe sistemi ligjor, ishte në qendër të diskutimeve të forumit 4-ditor,që nisi dje punimet në Hotel Tirana Internacional, organizuar nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Departamentin Juridik pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, (FMN). Guvernatori i Bankës së Shqipërisë,Ardian Fullani i cili çeli punimet e këtij takimi, tha se "dialogu mes sistemit bankar dhe atij ligjor është një nga çështjet jetike për zhvillimin financiar të vendit." Sipas tij, asnjë institucion financiar apo biznesi nuk mund të ketë performim bashkëkohor dhe modern, pa një sistem të pavarur ligjor. Duke u ndalur në aspekte të ekonomisë shqiptare, Guvernatori Fullani nënvizoi faktin se,"vendi ynë do të vazhdojë të zhvillohet drejt ekonomive të përparuara evropiane, ndërkombëtare vetëm duke siguruar stabilitet financiar, por që është i lidhur ngushtësisht me ndërtimin e një sistem juridik të plotë efiçentë dhe pararendës të zhvillimeve makroekonomike të vendit". "Vendi ynë që të "lundrojë" i sigurt drejt sfidave evropiane duhet të konsolidojë dy sisteme kryesore, atë financiare dhe juridik modern. Nuk ka treg financiar efiçent e të sigurt pa rend juridik dhe kjo merr rëndësi akoma më të madhe dhe përballë situatës globale të tregjeve financiare ku padyshim del qartë rëndësia e një rendi juridik gjithnjë të aftë për të mbrojtur sistemin financiar" - tha Fullani. Ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas trajtuan dje në këtë forum nga pikëpamja ligjore krizën financiare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndikimin e saj në sistemin financiar botëror, me fokus të veçantë,aspektet juridike të mbikëqyrjes bankare. Gjithashtu,u trajtuan dhe tema të veçanta mbi mbikëqyrjen administrative, juridike të iniciativave ligjore, produktet komplekse financiare, qeverisja e bankave në Shqipëri etj. Në forum marrin pjesë përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, juristë të bankave të nivelit të dytë që zhvillojnë aktivitet në Shqipëri, përfaqësues dhe ekspertë të institucioneve dhe agjencive publike që merren me legjislacionin bankar dhe kuadrin rregullativ, nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Drejtoria e Përgjithshme e Luftës kundër Pastrimit të Parave, etj. Sistemi ligjor duhet të parashikojë në mënyrë të qartë, sigurinë për të drejtat kontraktore dhe të drejtat e pronësisë, si garanci për mirëfunksionimin e sistemit financiar, tha Guvernatori i Banksë së Shqipërisë, Ardian Fullani në takimin e organizuar dje në Tiranë, mbi “Tregun bankar dhe sistemin ligjor”. Duke u ndalur më konkretisht përballë këtij argumenti, Guvernatori Fullani shpjegoi se, palët jo vetëm që duhet të jenë në dijeni të këtyre të drejtave, por duhet të kenë mundësinë që t’i ushtrojnë lirisht dhe në mënyrë të plotë ato, si gjatë lidhjes së marrëveshjes ashtu edhe në rast konflikti. “Për këtë arsye,- vijoi Fullani,- roli i pavarur i gjykatës, perceptimi i tij, efikasiteti i gjykimit dhe zbatimi i vendimit të gjykatës, janë tipare thelbësore, deformimi i të cilave ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit financiar”. Sipas tij, "paralizimi i titullit të pronësisë, tejzgjatja e konflikteve gjyqësore të pronësisë, mosekzekutimi i kolateralit, mendoj se ndikojnë drejtpërsëdrejti në përqindjen që kredia hipotekore në veçanti dhe kredia në tërësi zënë, në krahasim me vendet e tjera." Në forumin "Tregu bankar dhe sistemi ligjor", punimet e të cilit do të vazhdojnë për katër ditë rresht, janë ulur për herë të parë së bashku në një tryezë diskutimi, gjyqtarë, prokurorë dhe juristët nga tregu bankar, të cilët do të referojnë mbi tregun bankar dhe sistemin ligjor në Shqipëri. Fullani: Sistemi bankar është i detyruar të mbrojë depozitat e qytetarëve Sistemi bankar, për aq kohë sa menaxhon depozitat e qytetarëve duhet të jetë i sigurt për evitimin e çdo humbjeje të mundshme financiare që lind nga marrëdhënia kontraktuale e akordimit të kredisë. Guvernatori i Bankës Qendrore të Shqipërisë, Ardian Fullani u shpreh dje në takimin "Tregu Bankar dhe sistemi ligjor", se ky hap sigurisht nuk është i lehtë, pasi elementet e rrezikut që shoqërojnë këtë marrëdhënie janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme. "Shkarazi, mund të them se ekziston një rrezik, i cili lidhet me llojin e monedhës; një i dytë lidhet me ecurinë e çmimeve të kolateralit; një i tretë mund të jetë edhe i ashtuquajturi rrezik operacional, e kështu me radhë. Materializimi i njërit apo disave prej këtyre rreziqeve, do të sillte vështirësi për bankën" -tha Fullani. Megjithatë, shprehu bindjen Fullani, Banka e Shqipërisë me autoritetin e saj mbikëqyrës e detyron sistemin bankar të krijojë fonde rezervë, për çdo një lek kredi të kërcënuar. E vetmja gjë ku Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar ndjehen të pafuqishëm, deklaroi Fullani, ka të bëjë me mosekzekutimin e kolateralit, ka të bëjë me një lloj pamundësie de facto të disponimit të kolateralit, sidomos kur bëhet fjalë për një kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme. Në takimin "Tregu bankar dhe sistemi ligjor", punimet e të cilat do të vazhdojë nga data 17-21 nëntor, marrin pjesë gjyqtarë, juristë, bankierë si dhe përfaqësues nga FMN. ...