Një grevë që s’i nxjerr dot nga halli zevzekët e politikës së vogël

Pas vitit 1990, zhvillimi i demokracisë në Shqipëri, ka vendosur një standard absolut në fushën zgjedhore. Që në vitet e para të vendosjes së demokracisë në Shqipëri, publiku i gjerë votues, ka vendosur Partinë Demokratike në piedestalin e lirive demokratike në fushën zgjedhore dhe si të tillë e ka votuar bindshëm duke i dhënë një fitore absolute të pa parë dhe në vendet më të zhvilluara të Europës perendimore. Më një diferencë të madhe votuesish, nga pas e ka ndjekur vetëm Partia Socialiste, e cila në vitin e rebelimit komunist, arriti të marrë pushtetin, jo me votën plebishitare, por me dhunë, duke përjashtuar votuesit shqiptar nga votimi dhe numërimi i votës. Kjo ndodhi në shumë zona elektorale, në veçanti në jugun e Shqipërisë, duke hartuar “procesverbalet e fitores” “pa fitore” si dhe duke përdorur Gjykatën Kushtetuese si gjykatën e prodhimit e të fabrikimit të mandateve për deputetë. Kjo bëri që në Shqipëri, institucioni i votës së lirë, të vendosur me aq mund e djersë pas viteve 90, të vihej në diskutim. Shembja e institucionit të votës së lirë nga socialistët në vitet e rebelimit komunist, i shqetësoi shumë dhe pa masë demokratët shqiptarë dhe perendimin. Gykata Kushtetuese, u kthye në një gjykatë që prodhoi mandatet e deputetëve të majtë dhe la padrejtësisht demokratë në opozitë për tetë vjetë. Kjo nuk është harruar dhe nuk mund të harrohet kurrë, sepse i vonoi pa masë reformat demokratike, integrimin dhe futjen e Shqipërisë në strukturat Euroatlantike. Për të vendosur në vend autoritetin e votës së lirë, të këtij institucioni të shenjtë të demokracisë në Shqipëri, demokratët, intelektualët dhe të gjithë votuesit e djathtë, mblodhën të gjitha forcat njerëzore, intelektuale e politike dhe nën drejtimin e Kryetarit të Partisë Demokratike, sot Kryeministër i Shqipërisë Prof.Dr. Sali Berisha, arritën të vendosin në vend autoritetin e institucionit të votës së lirë. Kjo bëri që në korrik të vitit 2005, Partia Demokratike të shënojë fitoren e saj në zgjedhje, e cila krijoi mazhorancën demokratike në qeverisje. Gjatë këtij mandati, mazhoranca demokratike në qeverisje, ka treguar dhe vazhdon të tregoj një mirëkuptim dhe konsensues të pa parë me opozitën e majtë në lidhje me sistemin zgjedhor dhe Kodin Zgjedhor. Shqiptarët e dinë se është opozita ajo që ka propozuar sistemin dhe Kodin Zgjedhor, i cili është hartuar me konsensus, do të miratohet me konsensus dhe do të zbatohet me konsekuencë në zgjedhjet parlamentare në vitin 2009. Mazhoranca nuk ka ç`të bëjë më tepër se kaq në lidhje konsensuesin e dhënë për autoritetin e institucionit të votës së lirë.
Kurse përsa i përket partive të vogla të krijuara më vonë dhe rishtazi, shqiptarët e dinë mirë se ata nuk kanë patur ndonjë influencë të madhe në përthithjen e votuesve, as ndonjë influencë primare në politikën shqiptare. Prandaj, nisur nga pesha e tyre në elektorat, nuk ka kuptim që ata të barazohen me partitë e mëdha në organizmat e mëdha që krijohen për menaxhimin e fushatës zgjedhore. Kurse vëzhgimi i tyre është një e drejtë ligjore dhe absolute, të cilën ua njeh dhe ky Kod Zgjedhor. Historia e partive të vogla tashmë dihet. Ata gjithmonë janë mbështetur ose majtas ose djathtas, te dy partitë e mëdha, të cilat kanë dominuar dhe dominojnë politikën në rrafshin e demokracisë në Shqipëri për 18 vjet. Edhe në të ardhmen, vështirë se ndonjë parti e vogël mund t`u zërë vendin. Po të shfletosh programet e partive të vogla për të ardhmen e Shqipërisë, nuk shikohet dhe nuk pasqyrohet ndonjë perspektivë e veçantë në fushën e ekonomisë, të politikës dhe të integrimit të Shqipërisë në Europën perendimore. Po t`i studiosh programet e tyre, s`gjen gjë tjetër, veçse një lojë për karrierë personale, të kryetarëve të tyre. Kjo është vënë në dukje dhe më parë, por po vazhdon hapur edhe sot. Historia e tyre gjatë këtyre viteve ka treguar se ata gjithmonë janë mbështetur në koalicionet e qeverisjes, si në të majtën ashtu dhe në të djathtën.
Publiku i gjerë shqiptar, që jeton brenda dhe jashtë vendit, e dinë shumë mirë, se përfshirja në qeverisje e partive të vogla nuk është meritë e tyre, por është kujdesje dhe meritë e dy partive të mëdha që i kanë përkrahur, ju kanë dhënë kurajo dhe i kanë vendosur në tavolinën e qeverisjes. Të gjithë e dimë se një pjesë e deputetëve grevistë, kur kanë ardhur në karrigen e qeverisjes, nuk kanë ardhur se kishin merita të mëdha apo ndonjë kontribut me vlera kombëtare në politikën e madhe të demokracisë shqiptare dhe të integrimit në Europë, por kanë ardhur si një bust i vendosur mbi këmbët e të tjerëve. Deputetët grevistë dhe të tjerët që i pasojnë, e kuptojnë shumë mirë, se mbi ato këmbë nuk mund të ecin më, dhe nuk mund të vijnë në qeverisje. Gjithashtu, ata që i pasojnë në veprimet ekstreme në parlament, e kuptojnë shumë mirë, se ëndrra ministrore dhe kryeministrore është një “mision i pamundur” për ta, si dhe për ata që i bëjnë karshillëk. Gjithashtu ata e kuptojnë shumë mirë se kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht Kryeminitëri i Shqipërisë Prof.Dr.Sali Berisha, zotëron shumicën absolute në elektoratin shqiptar, jo vetëm për këtë mandat qeverisës, por dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në qershorin e vitit 2009. Po gjithashtu, dominimi absolut i qeverisjes demokratike në fushën e politikës së jashtme, për futjen e Shqipërisë në NATO dhe integrimin në BE si dhe përkrahjen që i ka dhënë dhe po i jep SHBA, i ka bërë xhelozë dhe merak, këta kryetarë të vegjël, të këtyre partive të vockla e zevzeke. Prandaj, ata që grevëzojnë sot në parlament si dhe ata që bëjnë sikur i mbështesin, nuk kanë se ç’bëjnë tjetër, veçse të ngujohen e të bëjnë shou ngujimi duke penguar zhvillimet e seancave parlamentare të Kuvendit, teksa në axhendë është miratimi i Kodit Zgjedhor.
Një gjë duhet t`ua bëjmë të qartë grevistëve-deputetë, se ndryshimi ndërmjet partive të vogla dhe partive të mëdha, qëndron te elektorati që ata përfaqësojnë. Përfaqësimi në komisione i të vegjëlve, nuk mund të sjellë ndryshime në vendimmarrjen e elektoratit dhe as fitoren e të vegjëlve. Si rrjedhojë nuk duhet të mbrohet me fanatizëm pjesmarrja e një komisioneri në komisionin zgjedhor. Kjo përbën nonsens për politikën e tyre, që këshillohet nga nervat dhe inati. Kodi Zgjedhor do të miratohet me konsensus ndërmjet mazhorancës demokratike dhe partisë opozitare më të madhe, të cilës iu la hapësira për të zgjedhur sistemin zgjedhor dhe hartimi i kodit. Shqiptarët e dinë se deputetët grevistë kanë në përbërje si dhe në mbështetjen e tyre, eksponentë inatçinjsh, grasatorë të korrupsionit të viteve 1998-2005 si dhe karrieristë klasikë. Rrethanat ku deputetët grevistë janë përfshirë, nuk ua letësojnë “vuajtjet” e politikës, por u shtohen më shumë. Elektorati është si deti, lëviz, por lëviz ngadalë. Grevistët-deputetë mund të lëvizin nga deputetë në grevistë dhe nga grevistë në ish-deputetë në 2009, por elektoratin e mazhorancës demokratike ta harrojnë se mund ta lëvizin. Por, “vuajtja” më e madhe në politikën e grevistëve deputet, është se askush nuk i do më, as edhe kolegët e tyre opozitarë. Ata nuk i do më, as kryetari i vjetër i opozitës, as kryetari i ri i opozitës. Akoma më e keqe është se ata nuk i duan më as militantët e tyre. Prandai këta deputetë fajin duhet ta kërkojnë tek vetja, ose aty, rretheqark tyre. Më e mira është që ata të mos bëhen më qesharakë për publikun shqiptar.
...