Fokus/ Zagrebi tronditet nga rrënjët e thella të krimit të organizuar

Zeljko Milovanovic, vrasësi i pronarit të javorës kroate "Nacional", Ivo Pukanic, tani zbulohet se kishte marrë pjesë edhe në përgatitjet e një sërë krimesh të tjera. Siç shkruan javorja sarajevase 'Slobodna Bosna', vrasësi më i kërkuar me pagesë në Ballkan, Zeljko Milovanovic, që njihej edhe si Gavra ose si Crveni Vjetar (Era e Kuqe), dhe i cili më 23 tetor në Zagreb mori pjesë në vrasjen e Ivo Pukanic dhe Niko Franjic, gjatë viteve të kaluara kishte përgatitur edhe disa atentate tjera. Sipas javores sarajevase, policia e Republika Srpska's beson që Milovanovic qëndronte edhe prapa atentateve të pasuksesshme në papën Gjon Pali i II dhe në Milorad Dodik. Komandanti i Policisë Kriminalistike të MPB të Republika Srpska, Gojko Vasic, konfirmoi se mjeti eksploziv me të cilin u vranë Pukanic dhe Franjic ishte identik me atë me të cilin ishte kryer atentati edhe ndaj presidentit të Maqedonisë, Kiro Gligorov. Gjithashtu, me të njëjtin lloj mjeti planifikohej të bëhej edhe atentati ndaj papës Gjon Pali i II, me rastin vizitës së tij në Banja-Luka para pesë vitesh. Qysh në muajin prill të vitit 2003, pra dy muaj para ardhjes së papës, policia e Republika Srpska's kishte informacione rreth atentatit të planifikuar. Kështu që ishte iniciuar një aksion i gjerë dhe i mbikëqyrur ndërkombëtarisht, në kuadër të të cilit përcilleshin rreth 200 persona të dyshimtë në Republika Srpska. Në mesin e tyre ishte edhe një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të Lëvizjes Çetnike. Falë këtij aksioni plani i atentatorëve dështoi. Edhe dy vrasje tjera në Republika Srpska para disa muajsh u kryen në mënyrë identike. Në muajin nëntor të vitit 2007, gjatë një eksplodimi në Banja-Luka u vra Milan Vukelic, ndërkaq në janar 2008 në po të njëjtën mënyrë në Pale u vra edhe Vlatko Macar. MPB e Republika Srpska's nuk dëshiron që këto dy vrasje të lidhen me Milovanovic'in, megjithëse ata theksojnë se ekziston një rreth i ngushtë njerëzish që dinë të kompletojnë atë lloj mjeti vdekjeprurës. Nga ana tjetër, MPB e Republika Srpska gjatë hetimit të fundit erdhi në përfundim se në vitin 2006 për Milovanoviçin ishte paraparë roli i atentatorit edhe ndaj kryeministrit aktual, Milorad Dodik. Ai do të duhej të shkrepte 'zolën' drejt veturës në të cilën gjendej Dodik. Deri para disa ditësh, kur policia e Republika Srpska iu vu pas, Milovanovic së bashku me familjen e tij jetonte i qetë në qendër të Dobojit. Rrjedhimisht, 'Slobodna Bosna' konkludoi se ai aty gëzonte një mbrojtje të fuqishme policore, por edhe politike. ...