E Diel, 1 Nëntor 2026

Të majtët grekë, në krye të ceremonive që përkujtojnë fundin e juntës së kolonelëve

Qendra e Athinës përjeton të hënën një gjendje shtetrrethimi, teksa shumica e rrugëve do të jenë të mbyllura për automjetet, madje nuk do të lejohet as parkimi i tyre. Tetë mijë policë do të jenë në gjendje gatishmërie për të ruajtur rendin e qetësinë në kremtimin e përvjetorit të revoltës studentore, që shënoi fillimin e fundit për juntën 7-vjeçare të kolonelëve në Greqi. 35 vjet më parë, më 17 nëntor 1973, tanket e forcave të sigurisë mësynë në Universitetin Politeknik të Athinës, ku ishin ngujuar mijëra studentë, që protestonin prej disa ditësh kundër përpjekjeve të juntës ushtarake për të kamufluar sistemin dikatorial nën maskën e një republike presidenciale. I vetmi qëllim ishte t’i zgjatej jeta diktaturës, e cila kishte arritur të konsolidohej, edhe falë tolerancës së fuqive të mëdha e sidomos Shteteve të Bashkuara. Në këto kushte dhe kur përmbysja e dhunshme e juntës nuk kishte gjasa për sukses, revolta studentore ishte shprehja më efikase e mospajtimit me diktaturën. Shkrimtari Dimitris Papakristos ishte një nga pjesëtarët e komisionit koordinues të revoltës. Ai thotë se revolta fillimisht nisi me kërkesa që kishin të bënin me përmirësimin e kushteve të mësimdhënies e të jetesës. “Filluam me kërkesa që kishin të bënin me universitetin dhe pastaj kaluam në kërkesat politike. Objektivi ynë kryesor ishte që të rrëzohej diktatura. Filluam me një taktikë që as vetë nuk e dinim dhe as regjimi, natyrisht. U bashkuam, u organizuam jo vetëm në Athinë, por edhe në Selanik. Ishte një taktikë e mençur”, thotë shkrimtari Dimitris Papakristos. Studentët e ngujuar arritën që të krijonin edhe një radiostacion, që përhapte valët e tij në të gjithë Athinën me kumtin “Ju flet Politeknikumi! Ju flet radiostacioni i studentëve të lirë luftëtarë! Ju flet radiostacioni i grekëve të lirë!”. Ndërsa studentët po mblidheshin me mijëra brenda Universitetit Politeknik, me mijëra ishin edhe njerëzit e thjeshtë që grumbulloheshin në rrugët rreth universitetit dhe që, me gjithë kanosjet e policisë nuk lëviznin nga vendi. Tashmë, parrulla që dominonte brenda dhe jashtë Politeknikumit, ishte “Bukë, Arsim, Liri!”. Ndërsa revolta kishte hyrë në ditën e katërt, policia u bëri thirrje të ngujuarve që të lëshonin universitetin. Ata në vend që t’i përgjigjeshin thirrjes së policisë, u bënë apel njerëzve që rrinin përjashta të mos largoheshin. Në mbrëmje vonë, universiteti u rrethua nga tanket, por edhe atëherë studentët, nuk i lëshuan pozicionet e tyre. “Besonim se konfrontimi kishte një simbolikë morale dhe politike, nuk duhej të tërhiqeshim pavarësisht se do të kushtonte jetë njerëzore. Dhe besonim, ndonëse atëherë dukej e çuditshme, se do të arrinim një fitore morale, e cila do ta çonte në një izolim moral dhe politik regjimin e kolonelëve e më pas në përmbysje”, thotë tani gazetari i njohur Stavros Ligjeros, në atë kohë pjesëtar i komisioinit koordinues të revoltës. Por entuziazmi rinor dhe mbështetja e madhe popullore, megjithatë ishin të pamjaftueshme për të ndalur vrullin e makinës ushtarake të regjimit. Pak pas mesnatës, duke u gdhirë 17 nëntor 1973, tanket mësynë duke prishur muret rrethuese të universitetit. Pas tankeve shkonin agjentët e policisë sekrete, një mishmash njerëzish që përpiqeshin të mbroheshin nga ndjekësit e tyre që i rrihnin e i qëllonin me armë zjarri. Brenda pak orësh politeknikumi dhe rrugët rreth tij ishin zbrazur. Kush u shpëtoi plumbave dhe arrestimit gjeti strehë në banesat përreth. Të nesërmen, junta e kolonelëve njoftoi bilancin e revoltës: 24 të vdekur dhe 840 të arrestuar. Por disa vjet më vonë, u tha se numri i personave që kishin humbur jetën natën e 17 nëntorit, ose si pasojë e plagëve që morën gjatë operacionit policoro- ushtarak, ishte të paktën 45, ndërsa i të arrestuarve 2.400. Megjithatë, revolta studentore ishte vetëm një parathënie e rrëzimit të juntës, gjë që ndodhi 9 muaj më vonë, në korrik 1974, për shkak të grushtit të shtetit që organizuan kolonelët në Qiro dhe solli si pasojë pushtimin e pjesës veriore të ishullit nga trupat turke. 35 vjet më vonë, 17 nëntori kremtohet si një ditë stacion në historinë të re të Greqisë. Nxënësit e shkollave kanë pushim këtë ditë, me qëllim që të shkojnë e të bëjnë homazhe tek monumenti kushtuar revoltës. “Atyre njerëzve që u sakrifkuan u detyrohemi me jetën tonë. Prandaj dhe nuk mund të shpreh me fjalë ndjenjat e mia", thotë një nxënës i shkollës fillore. Ndërsa një bashkëmoshtar i tij shton: "Po të mos ishin ata, ne tani do të jetonim në një regjim fashist". Në homazhe, sigurisht, nuk mungojnë as politikanët, sidomos ata të krahut të majtë, përderisa secila prej partive të majta ka tentuar vazhdimisht një farë pronësie mbi revoltën. Shkrimtari Dimitris Papakristos, është një nga drejtuesit e revoltës. Pavarësisht ofertave, ai nuk pranoi kurrë që ta konvertonte kontributin e vet me një post në politikë. Madje, disa vjet më parë, botoi një libër, me titullin "Politeknikumi, jeton?". "Besoj se çfarë ka ekzistuar me të vërtetë, edhe ëndërr sikur të ishte, edhe utopi, nuk mund të humbasë. Revolta nuk është pronë e asnjë partie. Ajo revoltë duhet të jetë si një pikë furnizimi, ku brezi i ri, por edhe ne, më të moshuarit, të marrin energji për të rezistuar ndaj sistemeve, ndaj çdo sistemi që synon të na vendosë në një rresht", përfundon shkrimtari Dimitris Papakristu, një nga drejtuesit e revoltës studentore greke, të vitit 1973. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›