Fullani: Vonesat nga përmbarimi po pengojnë kreditimin
Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i ka kërkuar qeverisë të forcojë ligjin, duke bërë funksional sistemin e përmbarimit, për të vepruar mbi kolateralin e lënë peng në rastin e marrjes së kredive, kur këto të fundit kthehen në kredi të këqija. Në këtë mënyrë, guvernatori fajësoi gjykatat, të cilat nuk ndërhyjnë ndaj kolateralit, kur kredimarrësit nuk paguajnë këstet e kredisë së marrë. Ai, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve demokratë dje, në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave, përsa i përket interesave të larta të kredisë dhe komisioneve bankare, në krahasim me vendet e rajonit, u shpreh se krahasimet janë të pabaza, për sa kohë që sistemi bankar në Shqipëri, sipas tij, po përballet me një problem madhor. “Kur krahasojmë Shqipërinë me vendet e rajonit, duhet të jemi koshientë se ka akoma dobësi për sistemin bankar dhe financiar, si përsa i përket regjistrimit të kolateralit, ekzekutimit të tij, që përbën problem madhor dhe kërkon ndërhyrje të rëndësishme strukturore”, u shpreh Fullani. Sipas tij, bankat duhet të jenë të qarta, investitorët duhet të jenë të qartë dhe tregu duhet ta ketë të qartë, që kur ti vepron dhe lë diçka peng për të marrë kredi në bankë, ky peng në kushtet e mosrealizimit të huadhënies, të ekzekutohet. Guvernatori u shpreh se nëqoftëse Shqipëria nuk do të ndërhyjë urgjentisht në këtë drejtim, ekonomia do të marrë kostot të larta, pasi aktiviteti kreditues i një banke merr fund me mosekzekutimin e kolateralit. Nga ana tjetër, guvernatori Fullani argumentoi se sistemi bankar në Shqipëri është i shëndoshë në termat e kredidhënies dhe në këtë drejtim, ai u shpreh se kushtet janë lehtësuar, si për bizneset, ashtu edhe individët. Duke iu referuar statistikave, ai u shpreh se për shkak të sistemit të shëndoshë bankar dhe sigurisë, niveli i kreditimit ka qenë 10 % dhe në krahasim me vendet e rajonit kemi nivel të përshtatshëm, nëqoftëse nuk krijohen probleme, pavarësisht se përpara krizës ky nivel ka qenë 20-30%. Në të njëjtën kohë, ai sqaroi se niveli i komisioneve përsa i përket valutës është në varësi të tregut ndërkombëtar, kurse ai në lekë është nën kosto. Kurse deputetët demokratë, Selami Xhepa dhe Sherefedin Shehu i kërkuan guvernatorit që Banka e Shqipërisë të jetë garante nëpërmjet një kontrate të përcaktuar për të ndërmjetësuar në rastin e kredive të bizneseve, sidomos atyre që merren me veprat publike, duke marrë parasysh që ata paguhen me vonesë nga qeveria dhe iu ndërpritet aktiviteti, për arsye se kreditë e marra kthehen në kredi të këqija. Nga ana e tij, guvernatori Fullani tha se një gjë e tillë nuk mund të bëhet, pasi Banka e Shqipërisë u ka krijuar lehtësira kompanive koncensionare për kredi me interes zero.
Diskutimet në fjalë u zhvilluan dje në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave, ku guvernatori Fullani raportoi për punën e institucionit që drejton për vitin 2010.