Publiku, 30% e mjekëve punojnë pa licencë
Në sektorin publik shëndetësor 30% e mjekëve e ushtrojnë profesionin në mënyrë të paligjshme, ndërkohë që e njëjta situatë paraqitet edhe në shërbimin dentar. Shqetësimi për këtë fenomen, është ngritur dje nga institucioni i Urdhrit të Mjekut, sipas të cilit 30% e mjekëve ushtrojnë profesionin pa licencë dhe në mënyrë arbitrare. Ndërkaq, kostoja, sipas presidentit të Urdhrit të Mjekut, Dine Abazaj lidhet drejtpërdrejt me pacientin. “Këta mjekë që ushtrojnë profesionin në mënyrë të palicencuar pas daljes së këtyre akteve ligjore dhe nënligjore, janë në kundërshtim me ligjin dhe në qoftë se kryejnë një gabim mjekësor dhe paditen për këtë, në radhë të parë ndëshkohen sepse kanë ushtruar profesion në kundërshtim me ligjin”, - pohon Dine Abazaj. Por, përveç evidentimit publik të këtij fakti, Urdhri i Mjekut deklaron se problematika është më e ndjeshme në qendrat e mëdha spitalore të kryeqytetit, dhe për këtë Dine Abazaj akuzon drejtpërdrejt drejtuesit e spitaleve, që pranojnë mjekët pa lejen e ushtrimit të profesionit. Ndërkohë që në sektorin privat nuk ka probleme të tilla. “Ky është kryesisht për faj të drejtuesve të institucioneve që i pranojnë në institucione dhe nuk i detyrojnë të pajisen me licencë. Në Tiranë kanë marrë leje vetëm mjekët që kalojnë në klinika private, sepse ata nuk i pranojnë pa licencë”, - shprehet Abazaj. Vitin e kaluar në sistemin shëndetësor filloi dhe vazhdon të aplikohet pajisja e mbarë mjekëve dhe stomatologëve me licencën për ushtrimin individual të profesionit, qofshin këta të sistemit publik apo privat. “Deri këtë kohë, ne kemi njohur e zbatuar sistemin e licencimit vetëm për ata individë që do të ushtronin në privat, dhe licenca jepej nga Ministria e Shëndetësisë, ndonëse licencimi në bazë të ligjit, por edhe të përvojës ndërkombëtare, është komponent i vetërregullimit profesional mjekësor dhe kryhet nga urdhrat e profesionistëve, të njohura ndërkombëtarisht si autoritete të vetërregullimit profesional mjekësor”, - sqarohet nga Urdhri i Mjekut. Ky i fundit është institucioni që pajis me licencë mjekët. Ndaj, edhe pse afati i parashikuar për të përfunduar ky proces ka qenë tetori i vitit të shkuar, Abazaj apelon që të gjithë bluzat e bardha të mos e zhvlerësojnë licencimin dhe ta marrin këtë dokument ligjor. Sipas Urdhrit të Mjekut, ky proces nuk ka ecur me ritmin e duhur dhe ka kaluar kufirin kohor të parashikuar: 31 tetor 2010. Kjo ka ndodhur thjesht për shkak të neglizhencës, mosnjohjes e mosvlerësimit në masën e duhur të këtij procesi, si dhe të ligjeve e urdhrit të ministrit të Shëndetësisë nga drejtuesit e disa institucioneve të vendit, e veçanërisht të spitaleve qendrore të Tiranës.