Greqia në rrezik falimentimi
Masa më të ashpra financiare ka shpallur pas një mbledhje maratone të kabinetit, qeveria e Papandreut. Greqia po lufton për të marrë këstin e ardhshëm të ndihmës prej 110 miliardë euro, që do të arkëtohet në muajin qershor, por tregjet nuk janë të bindura se, ajo mund t’i shpëtojë falimentimit. "Jemi në një pikë kritike - ka deklaruar ministri i Financave, Papakonstandinou. - Nëse nuk marrim këstin e ardhshëm, nuk do të mund të paguajmë pagat e nënpunësve të shtetit". Duke dashur të bindë kreditorët e saj, se mund të përballojë krizën e borxhit pa pasur nevojën e një ristrukturimi të tij, qeveria greke ka vendosur për reduktime të mëtejshme të pagave në sektorin publik, për rritjen e taksave për konsumatorët, akoma edhe për pushime nga puna te nënpunësve të administratës publike, të cilat ende nuk lejohen nga kushtetuta.
"Kabineti ministror vendosi marrjen e menjëhershme të masave shtesë për vitin 2011, me një vlerë prej 6 miliardë euro, në mënyrë që të shpejtohet reduktimi i deficitit në 7.5% të PBB deri në fund të vitit dhe të krijojmë me shpejt tepricat primare", tha zëdhënësi i qeverisë. Brukseli dhe BQE bënë presion ndaj Athinës, për të ecur më shpejt në rrugën e privatizimeve. Sipas Kryeministrit Papandreu, fillon menjëherë shitja e aksioneve të Operatorit të Shërbimit Elektrik, atij postar, të telekomunikacionit, të shumë porteve dhe aeroporteve të vendit, si dhe të kazinosë së Parnithës. Ndërkohë të indinjuar janë më shumë se, 80% e grekëve që nuk pranojnë më masa të reja në kurriz të tyre.