E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani akuzon bankat për komisione të shtrenjta dhe të padokumentuara

Qytetarët ankohen për mungesë informacioni dhe shtesa në komisionet bankare


Mungesa e theksuar e transparencës është shndërruar në ngërçin më të madh të funksionimit të sistemi bankar shqiptar. Bankat nuk informojnë klientët ne lidhje me komisionet, madje qytetarët që operojnë me bankat ankohen pranë Bankës së Shqipërisë në lidhje me kosto që aplikojnë bankat për operacionet monetare. Konstatimi vjen nga autoriteti më i

lartë i këtij sistemi, guvernatori Ardian Fullani i cili në konferencën e katërt të Bankës Qendrore me bankat e nivelit të dytë sistemit, deklaroi publikisht se klientëve të bankave po ju imponohen produkte të shtrenjta.

Denoncimi
Në Bankën e Shqipërisë jo rrallë vijnë ankesa nga qytetarë, përdorues të rregullt ose rastësisht të shërbimeve bankare në lidhje me kostot që aplikojnë bankat për këto shërbime. Rezulton që në mjaft raste qytetarët vendosen përpara faktit për të kryer përsa i takon detyrimeve ndaj bankës për shërbimet e përfituara, pa pasur më parë një informacion të mirëfilltë rreth arsyes dhe madhësisë së këtyre detyrimeve. Në raste të tjera përdoruesi i shërbimit nuk gjen shpjegimin e nevojshëm dhe bindës nga ana e bankës për arsye e lindjes së detyrimit dhe mënyrën e llogaritjes së tij thotë Fullani. Për guvernatorin Fullani çmimet e komisioneve bankare janë të paargumentuara, të padokumentuara dhe vendosen në kushtet e një mungese të theksuar të konkurencës.Në lidhje me mënyrën e vendosjes së komisioneve, bankat orientohet prej institucioneve konkuruese në treg dhe nuk rezulton të ketë një politikë aktive dhe njëkohësisht vizionare të zhvillimit të shoqërive bankare duke mbështetur rritjen e përdoruesve që lehtësisht mund të kthehen në klientë potencialë të bankave thotë Fullani. Përballë këtij qëndrimi të bankave tregtare guvernatori ka folur për një publik të matur drejt të cilit ka drejtuar edhe një mesazh për ta mbështetur me të njëjtin përkushtim sistemin bankar të vendit: Më shumë besim tek monedha jonë kombëtare! Më shumë besim tek sistemi ynë bankar! Më shumë besim te analiza e Bankës së Shqipërisë dhe sistemit bankar! Më shumë depozita do të thotë më shumë kredi. Më shumë kredi do të thotë më shumë mirëqënie për vendin tonë.


Portofoli i kredive
Duke pasur parasysh këtë element dhe në terma më praktikë, është e nevojshme që për kreditë ekzistuese bankat të reflektojnë plotësisht madhësinë e kredive me probleme dhe të krijojnë rezervat përkatëse për rrezikun e humbjeve nga kreditë. Në portofolin e kredive me probleme, bankat duhet të identifikojnë klientët me probleme të përkohshme dhe të kapërcyeshme, dhe të ndërtojnë politika që ofrojnë mbështetje për këta klientë në këmbim të shtimit të elementëve që mbrojnë bankën prej rrezikut të këtyre kredive në të ardhmen. Për klientët që i vlerësojnë me një mundësi të ulët të pagesës së detyrimit të kredisë, bankat duhet të ndjekin vendosmërisht procedurat ligjore për ekzekutimin e garancive dhe të formave të tjera të kolateraleve, për rikuperimin e një vlere sa më të madhe të kredisë. E gjithë vendimmarrja në këtë proces duhet të jetë e qartë dhe e dokumentuar, dhe duhet të ketë si bazë analizën e strukturave të specializuara të Bankës. Për kreditë e reja, nisur nga përvoja e bankave me problemet e shfaqura në portofolin e kredisë dhe arsyet përkatëse, është e domosdoshme të ketë një shpërndarje më të mirë sektoriale dhe një ekuilibër më të arsyeshëm midis projekteve publike dhe private, midis klientëve që përfaqësojnë sipërmarrje biznesi apo familje, midis formave të dhënies së kredisë në lekë ose në valutë etj., duke e orientuar kreditimin në mënyrë që të zvogëlohet ekspozimi ndaj formave më problematike dhe të ulet përqendrimi i kreditimit në përgjithësi.


Kreditë tregtare
Duke vlerësuar para së gjithash mundësinë e pagesës së kredisë nga ana e kredimarrësve dhe sigurinë e kreditimit, Banka e Shqipërisë gjykon që ekzistojnë mjaft hapësira për bankat tregtare, që në varësi të madhësisë dhe mundësive që kanë, të mbështesin më shumë kreditimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të ofrojnë mundësi më të mëdha financimi në lekë. Ecuria e cilësisë së portofolit të kredisë do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi rezultatin financiar të bankave. Në këtë kuadër, merr rëndësi edhe ndjekja me kujdes e vlerave të kapitalizimit të veprimtarisë bankare, pavarësisht niveleve të tij aktualisht të mjaftueshme.


Kurisi i këmbimit
Sektori bankar vijon të mbetet i ndjeshëm ndaj lëvizjeve me luhatshmëri të lartë të kursit të këmbimit veçanërisht për ndikimin që këto përcjellin në cilësinë e portofolit të kredisë, i cili dominohet prej kredisë në valutë. Në këtë rast, zgjidhja më e mirë do të ofrohej nga zbatimi i politikave më të ekuilibruara të kreditimit të cilat synojnë rritjen e peshës së kredisë në lekë. Përsa i takon pozicionit valutor në bilanc, sektori bankar, si edhe më parë, vazhdon të evidentojë një pozicion të hapur neto në vlera të ulëta, duke kufizuar ndjeshëm madhësinë e humbjeve të mundshme.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›