E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani apel qeverisë: Reduktoni borxhin në prag zgjedhjesh

BSH: Rritja ekonomike do të jetë e njëjtë me vitin e kaluar 1.7 %

ardian-fullaniQeveria duhet të mbajë nën kontroll borxhin dhe ta reduktojë atë. Kjo ishte këshilla e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, bërë dje qeverisë. Gjatë prezantimit të raportit mujor të Bankës guvernatori Ardian Fullani ka kërkuar nga qeveria që të bëjë kujdes me ekuilibrat fiskalë, sidomos tashmë në prag zgjedhjesh. Prishja e këtyre ekuilibrave, sipas guvernatorit Fullani do ndikonte negativisht në ekonomi, ndaj dhe duhet mbajtur nën kontroll borxhi.Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në raportin 3-mujor të politikës monetare, Fullani u shpreh se borxhi duhet të reduktohet dhe kjo të bëhet transparente. Raporti
“Analizat tona të bazuar mbi treguesit indirektë vlerësojnë se rritja ekonomike ka qenë e ulët. Ajo është mbështetur kryesisht në kërkesën e huaj ndërkohë që komponentët e kërkesës së brendshme vijojnë të shfaqen me një ecuri të plogësht. Konsumi dhe investimet private mbeten të dobëta në prani të pasigurive të së ardhmes në ngadalësimit të të ardhurave të disponueshme njëkohësisht dhe të kushteve më të shtrënguara të financimit të kapaciteteve të lira të prodhimit”, bëri me dije Fullani.
Rritja ekonomike
Sipas guvernatorit, rritja ekonomike e vendit vitin e kaluar ishte 1.7 %, e udhëhequr kryesisht nga shërbimet, ndërkohë që ndërtimi ka shënuar tkurrje. I njëjti parashikim pritet edhe për vitin 2013. Guvernatori tha se presionet e brendshme në çmimet e konsumit mbeten të ulëta. Ndërkohë Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.75 %.
Dalja nga kriza
I pyetur nga gazetarët mbi perspektivën e daljes nga kriza ekonomike Guvernatori Fullani tha se Banka e Shqipërisë ka shtruar propozimin që sistemet bankare të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore të përfshihen në Unionin Bankar Europian, çka do të nënkuptonte një mbikëqyrje bankare të unifikuar me vendet e Bashkimit Europian. Zoti Fullani pranoi se në kushtet e tanishme transmetimi i politikës monetare në hallkën fundore të kreditimit të publikut është i ulët. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë vendosi të vepronte në krahun e masave makroprudenciale, duke lehtësuar kërkesat rregullatore ndaj bankave private, me qëllim rritjen e potencialeve të tyre kredituese.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›