E Diel, 1 Nëntor 2026

Lesi: SMS e Nanos, si të një vagabondi, ish-kreu i PS: Kam 4 vjet pa folur me të

Konflikti mes ish-botuesit të gazetës “Koha Jonë” dhe ish- kryeministrit Fatos Nano është rizgjuar sërish në skenën e aktualitetit. Pas denoncimit të Nikollë Lesit për marrjen e mesazheve kërcënuese dhe fyese nga Fatos Nano, ky i fundit ka hedhur poshtë me një fjali pretendimet e zv.ministrit të Kulturës. Në dalje të ambasadës çeke, ku kreu homazhe për ish-presidentin Vaclav Havel, Nano iu përgjigj thatë akuzave të Lesit. “Kam më shumë se 4 vjet që nuk kam kontaktuar me Nikollë Lesin”-tha ish-kreu i PS-së, duke komentuar më pas përjashtimin e Kastriot Islamit nga partia. Por Nikollë Lesi nuk e ka lënë me kaq. Në një deklaratë për mediat, pas reagimit të Nanos, zv.ministri Nikollë Lesi ngulmon se mesazhet e mbërritura në telefonin e tij i ka nisur ish-kryeministri. “Fatos Nano ka komunikuar me mua me SMS si vagabond. Nga deklaratat që bën, duket se ai ka probleme me kujtesën”,-shkruan Lesi në deklaratën për mediat. Me reagimin e tij, Nikollë Lesi ka lënë të kuptohet se kjo histori nuk do të përfundojë këtu, pasi premton një përballje finale me Fatos Nanon. “Këtë radhë do të ketë ballafaqim final me Nanon”,-thotë Lesi për mediat. Zv.ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i dërgoi pak ditë më parë një letër denoncuese për Nanon ministrit të Brendshëm e presidentit të Republikës, ndërsa paditi në prokurori për kërcënim ish-kryeministrin Nano. Ai e akuzon Nanon për kërcënime me jetë, për shkak të lobimit kundër kandidaturës së ish-kreut të PS-së për president të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›