Fullani në Korçë: Depozitat e shqiptarëve, të sigurta
Depozitat e shqiptarëve janë të sigurta. Kjo është garancia më e madhe që ka dhënë nga Korça guvernatori Ardian Fullani, gjatë qëndrimit të tij në kryeqendrën e juglindjes. Sipas tij, banka shqiptare është e qëndrueshme ashtu si dhe sistemi bankar në vend, ndërsa ka kërkuar që të vazhdojë kreditimi për bizneset për të vazhduar qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike dhe të shmangies sa më të mundshme nga kriza globale.
Gjatë të enjtes, Adrian Fullani ka qenë prezent në qytetin e Korçë në një sërë takimesh të rëndësishme, ku natyrisht kryetema e tyre ka qenë ajo e krizës ekonomike që ka përfshirë botën dhe që ka dhënë shenjat e saj të para dhe në vend. Në një takim me kryetarin e Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, Fullani ka deklaruar se ekonomia shqiptare nuk është prekur nga kriza për fat të mirë, ndonëse ka shenja të saj, ndërsa sistemi bankar sipas tij është i garantuar pasi ka mundur të operojë në mënyrën e duhur. "Niveli i kreditimit dhe ai i depozitave janë dy boshteve më të rëndësishme të këtij sistemi, ndaj të gjitha përpjekjet e specialistëve të kësaj fushe janë duke i ruajtur ato. Ndonëse ka pasur shenja të uljes së depozitave gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar ky nuk ka qenë një fenomen, ndërsa të gjitha depozitat e shqiptarëve janë të garantuara", ka pohuar ndër të tjera Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Madje ai iu ka bërë thirrje dhe emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët të jenë të qetë për fitimet e tyre të depozituara në Shqipëri. Por sipas Fullanit, rajoni i Korçës në mënyrë të veçantë duhet të ketë si primar fushën e bujqësisë që është një potencial i fortë dhe në këtë drejtim duhet të nxiten investime në këtë drejtim. Për guvernatorin shqiptar përveçse depozitat janë të sigurta, duhet të mos ulet niveli i kreditimit të bankave në vend ndonëse është ndierë një ulje e kreditimeve gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar. Në këtë mënyrë ekonomia shqiptare do të vazhdojë të mos e ulë ritmin e saj të zhvillimit.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1