E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatat, rezolutë krerëve të shtetit për Konferencën Gjyqësore kombëtare

Mbledhja e djeshme e Kryetarëve të Gjykatave të Republikës dhe të Shoqatave të Gjyqtarëve ka dalë dje me një rezolutë drejtuar Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Drejtësisë. Bëhet fjalë për një takim konsultativ të kryetarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë, të Gjykatave të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, të Shoqatave të Gjyqtarëve (Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve). Aty, në prani të përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare, Misioni Euralius II, Opdat dhe OSBE, u konkludua në një rezolutë të përbashkët lidhur me organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Me shfuqizimin nga Gjykata Kushtetuese të Ligjit nr. 9399 date 12.05.2005 "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare", gjyqësori shqiptar bëri një hap përpara kushtetueshmërisht në drejtim të pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse në njërin prej institucioneve kushtetuese të rëndësishme të tij, që është Konferenca Gjyqësore Kombëtare (KGJK). Si një nga institucionet e Pushtetit Gjyqësor të parashikuar në Kushtetutë, KGJK merr një rëndësi të veçantë për nga organizimi, funksionimi dhe kompetencat që duhet të ushtrojë. Në respektim të dispozitave të Kushtetutës dhe të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 25, datë 26.12.2008 është përcaktuar se KGJK duhet të organizohet dhe funksionojë me një ligj të posaçëm. Një nga kompetencat kryesore të KGJK është zgjedhja e nëntë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ligji Nr. 8811 datë 17.05.2001 për KLD, që është në fuqi, parashikon në dispozitat e tij këtë kompetencë të KGJK dhe vendos afate kohore brenda të cilave duhet të plotësohen vendet vakant të krijuara në KLD. Aktualisht Këshilli i Lartë i Drejtësisë ndodhet përpara nevojës për të plotësuar katër vende gjyqtarësh anëtar të tij, ndërsa Konferenca Gjyqësore Kombëtare ndodhet përpara detyrimit për t'i zgjedhur ata, brenda afateve të parashikuara në ligjin për KLD. Rezoluta, duke evidentuar këto fakte, veçon se KGJK gjithashtu ndodhet përpara detyrimit kushtetues që të organizojë dhe të funksionojë në bazë dhe në zbatim të ligjit.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›