Etika, hiqen nga puna mjekët që ofendojnë pacientët
ISKSH dhe Urdhri i Mjekëve nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi. Dy institucionet do të ushtrojnë kontrolle të përbashkëta për zbatimin e etikës mjekësore, si dhe për rastet e korrupsionit në radhët e profesionistëve të shëndetit
Mjekët që do të jenë të pakujdesshëm me sjelljen ndaj pacientëve, jo vetëm për trajtimin mjekësor, por edhe për komunikimin, rrezikojnë të hiqen nga puna. Denoncimet e vazhdueshme të pacientëve ndaj mjekëve që lidhen me gjuhën e papërshtatshme gjatë vizitës, ku nuk mungon as arroganca, kanë bërë që strukturat përkatëse, Instituti i Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) dhe Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë (UMSH) të marrin masa për kontrollin rigoroz të zbatimit të etikës mjekësore, të cilat shkojnë deri në heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit, në rastet e shkeljeve të rënda. Drejtoresha e përgjithshme e ISKSH-së, Elvana Hana dhe presidenti i UMSH-së, Din Abazaj, nënshkruan dje një memorandum bashkëpunimi, ku angazhohen për të siguruar një shërbim dhe kujdes shëndetësor sa më cilësor për pacientët. Në bazë të këtij memorandumi, dy institucionet marrin përsipër që të kontrollojnë rigorozisht personelin shëndetësor për zbatimin e Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, me synim ofrimin e një shërbimi profesional shëndetësor. “Kur në kontrollet e ushtruara, ISKSH dhe strukturat vartëse konstatojnë shkelje nga mjekët gjatë ushtrimit të profesionit, të papajtueshme me principet e Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, marrin përsipër t’i relatojnë ato në Urdhrin e Mjekëve, i cili do të shqyrtojë dhe ndëshkojë këto raste në varësi të shkeljeve përkatëse deri në heqjen e licencës së ushtrimit të profesionit”, - u shpreh drejtoresha e ISKSH-së, duke iu referuar memorandumit të nënshkruar mes dy institucioneve. Presidenti i Urdhrit të Mjekëve u shpreh se bashkëpunimi me ISKSH-në ka qenë i vazhdueshëm, por tani merr formën e një bashkëpunimi institucional, falë të cilit do të evidentohen dhe merren masa për çdo rast. Nga ana tjetër, dy institucionet do të ushtrojnë kontrolle të përbashkëta edhe për rastet e korrupsionit në radhët e profesionistëve të shëndetit. Gjithashtu, ISKSH merr përsipër të mos lejojë të punësohen në institucionet shëndetësore mjekët që nuk janë të pajisur me licencën e lëshuar nga Urdhri i Mjekut. Ideja e këtij bashkëpunimi për të maksimalizuar shërbimin për pacientët, lindi pas kontrolleve të shumta të ushtruara nga ISKSH në institucionet shëndetësore me të cilat ka kontratë. Disa nga shkeljet e konstatuara kanë të bëjnë me mosrespektimin e orarit të punës nga personeli shëndetësor, sjelljen jo korrekte me pacientët, (kryerja e vizitës apo lënia mbas dere për një kohë të gjatë, moskryerja e vizitës në shtëpi të pacientëve me sëmundje të rëndë) etj. Nëpërmjet memorandumit, ISKSH dhe UMSH angazhohen për ta shtrirë bashkëpunimin në të gjitha strukturat, në nivel qendror dhe lokal.
“Kur në kontrollet e ushtruara, ISKSH dhe strukturat vartëse konstatojnë shkelje nga mjekët gjatë ushtrimit të profesionit, të papajtueshme me principet e Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, marrin përsipër t’i relatojnë ato në Urdhrin e Mjekëve, i cili do të shqyrtojë dhe ndëshkojë këto raste në varësi të shkeljeve përkatëse deri në heqjen e licencës së ushtrimit të profesionit”
Gjaku, lehtësira për dhuruesit vullnetarë
Nuk plotësohen nevojat, Pipero: 9 dhurues japin gjak në 1 mijë banorë. Gjatë dy viteve të fundit, asnjë rast i infektuar nga transfuzioni
Spitalet e vendit do të vazhdojnë të përballen me mungesën e gjakut, duke mos i plotësuar kështu as nevojat, për sa kohë numri i dhuruesve do të jetë 9 për 1 mijë banorë. Kështu ka deklaruar dje në Komisionin e Shëndetësisë, drejtori i Politikave dhe Menaxhimit në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, ndërsa ka evidentuar si pozitiv faktin që gjatë dy viteve të fundit në vendin tonë nuk është infektuar asnjë person nga transfuzioni. “Ne ende jemi larg objektivit për të mbuluar të tëra nevojat e vendit me gjak në mënyrë optimale. Nëse në vitin 2005 kishim 4 dhurime për 1 mijë banorë dhe sot kemi 9 dhurime për 1 mijë banorë, për të mbuluar nevojat optimale të vendit, sipas orientimeve të OBSH-së, duhen së paku 40 dhurime për 1 mijë banorë, në mënyrë që ne të jemi optimalisht të furnizuar me gjak”, - u shpreh Pipero. Ndërkaq, drejtori i Politikave ka kërkuar konsensus nga ISKSH, që dhuruesve vullnetarë të gjakut, të cilët aktualisht janë rreth 6 mijë, t’u ofrohen disa lehtësira nga shteti, si vizita falas te mjeku i familjes, transport publik pa pagesë etj. Lidhur me shqetësimin e ngritur nga deputetët e opozitës në komision për abuzimet me dhënien e gjakut në spitale, Pipero nuk e ka mohuar këtë fakt, edhe pse për të nuk ka raste të deklaruara zyrtarisht. “Abuzime të deklaruara, zyrtare nuk kemi. Kemi dëgjuar, raste ka dhe duhet të ketë, por po punojmë fort për t’i shmangur, sepse mund të shesim gjithçka, por jo gjakun”, - deklaroi Pipero. Po kështu, një tjetër shqetësim i ngritur nga socialistët ishte edhe çështja e sigurisë së gjakut. Për këtë, Pëllumb Pipero ka deklaruar se ka gjak të sigurt në nivel optimal, por gjak 100% të sigurt sipas tij, nuk ka dhe nuk do të ketë, pasi ka sëmundje që ende nuk njihen. E pranishme në mbledhjen e djeshme të komisionit të Shëndetësisë ka qenë edhe drejtoresha e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut, Irena Qendro, e cila i ka cilësuar si arritje përmirësimin e cilësisë së dhuruesve të gjakut, si dhe rritjen e sasisë së tij. Sot, në vendin tonë funksionojnë dy qendra të mëdha transfuzioni gjaku në Tiranë dhe Vlorë. Gjatë vitit të ardhshëm parashikohet që të hapen edhe tri të reja, në Shkodër, Korçë dhe Kukës. Gjithashtu është parashikuar një fond prej 80 milionë lekësh për blerjen e aparaturave të reja, për të testuar në kohë më të shpejtë sigurinë e gjakut.