E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani raporton në Kuvend: Kriza globale ndikoi në ekonominë shqiptare

Kriza botërore dha një ndikim të shpejtë në aktivitetin ekonomik në vend. Ajo u shoqërua me një reduktim të hyrjeve valutore në llogarinë korrente dhe kapitale, me një ulje të menjëhershme të kërkesës së jashtme dhe me një ngadalësim të kërkesës së brendshme për mallra e shërbime.

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë mësohet  se bankat në vend megjithëse e kanë përmirësuar disi situatën e tyre financiare në tremujorin e fundit të vitit 2009, kanë rezultuar me një portofol të kredive të këqija që shkon në 472 milionë dollarë amerikanë. Muajt e fundit të vitit 2009 tregojnë për një stacionim të kredisë së keqe, tashmë në disa vlera që nuk janë pa pasoja, por që mbeten ende larg rrezikut të besueshmërisë së bankave. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, për muajin dhjetor të vitit 2009, huaja e keqe ka mbërritur në 10.5 për qind të portofolit total të bankave të nivelit të dytë. Por, pavarësisht se këto hua nuk mund të quhen të humbura, pasi ato janë të mbuluara me provigjone, rritja me ritme të shpejta e kredive toksike rrit riskun e sistemit bankar. Ndërkohë sipas raportit të BSH-së, në fund të vitit 2007 treguesi i kredive të këqija ishte 3.31 për qind e portofolit, ose në vlerë absolute, 97.2 miliardë lekë të vjetra, ose rreth 97 milionë dollarë (me kursin aktual të këmbimit). Për sa i përket treguesit në përqindje, vihet re një trefishim të kredisë së keqe në harkun kohor të një viti. Rritja e kredisë së keqe në vlerë absolute në harkun kohor të një viti në sistemin bankar shqiptar është më shumë se 500 për qind. Bizneset e rrethit të Tiranës kanë thithur rreth 74 për qind të kredisë për biznese. "Në Tiranë operojnë mesatarisht 40 për qind e bizneseve dhe gati gjysma e bizneseve me më shumë se 50 punonjës. Në përgjithësi, shpërndarja e kredisë, edhe pse shfaqet e pabarabartë, ndjek përqendrimin gjeografik të bizneseve në vend. Gjithashtu, shpërndarja gjeografike e kredisë është në linjë edhe me profilizimin e rretheve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë."

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›