Pse evropianët nuk i duan grekët?
Kinemaja greke nuk ka coproduksion-e me kompanitë filmike të Evropës. Arsyeja nuk janë grekët, regjisorët. Por, Demetri Sofianopoulos, nëndrejtori i Qendrës Kinematografike Greke në intervistën e mëposhtme, ekskluzive për “standard”, na shpjegon se kompanitë evropiane të filmit nuk i kanë ofruar ndonjëherë bashkëpunim kinemasë greke.
Prodhimet e tyre nuk kanë bërë shumë bujë jashtë kufijve grekë, me përjashtim të filmit të regjisorit Theo Aggelopoulos, një kriter ky që me sa duket e ka përjashtuar kinematografinë greke nga marrëdhëniet e coproduksion-it. Ky është shqetësimi që ka ngritur vetë nëndrejtori i qendrës greke kinematografike, Sofianopoulos, pas shfaqjes së disa prej produksioneve nga kinemaja greke në Tiranë. Sofianopoulos tregon për mënyrën se si funksionon qendra kinematografike greke, menaxhimi i buxhetit, si dhe dyndja e kinemave nga prodhimet amerikane. Raporti i regjisorëve me tregun, paranë dhe biletën. Si arrijnë të mbijetojnë, përballë konkurrencës dhe fuqisë televizive?
Në Shqipëri për tri ditë u shfaqën disa produksione nga kinemaja greke. Çfarë e bën të domosdoshme daljen e kinemasë greke jashtë kufijve?
Ne jetojmë në një botë, ku shtetet duhet të kenë lidhje me njëri-tjetrin, jo vetëm ekonomike, politike, por edhe kulturore. Filmat grekë është shumë e vështirë të shfaqen jashtë shtetit, ndërsa produksionet amerikane e kanë më të lehtë. E kjo për mua nuk është normale. Kultura jonë, gjuha etj., duhet të ekzistojnë, jo vetëm ajo amerikane. Në përgjithësi kinematografia e tyre ka mbizotëruar, është shndërruar në një “mbretëri” tashmë, duke lënë mbrapa prodhimet evropiane. Pikërisht këtu qëndron vështirësia më e madhe.
Ju jeni nëndrejtori i qendrës greke kinematografike, a mund të na tregoni diçka mbi menaxhimin e institucionit tuaj?
Qendra greke kinematografike ndihmon regjisorët tanë me qëllim që të realizojnë filmat e tyre, edhe pse fatkeqësisht nuk kanë shumë para në dispozicion, të paktën as sa do donin. Por gjithsesi, kohët e fundit, kemi arritur të prodhojmë shumë filma edhe me pak para të akorduara, ku shumë prej tyre janë vlerësuar me çmime si në Kanë, e festivale të tjera. Dihet që basti më i madh është të fitosh shikuesit, me një film të realizuar mirë. Po ashtu, në Athinë ne shfrytëzojmë një kontratë që kemi nënshkruar me disa kinema, të cilat na sigurojnë një lloj garancie për të luajtur filmat grekë.
Si lëviz shifra, si kosto, në prodhimin e një filmi?
Kjo varet nga buxheti që kemi, por e shumta që mund të marrë një film është 350 mijë euro. Në përgjithësi filmat përfitojnë 100 ose 200 mijë euro.
Cili është projekti filmik më i shtrenjtë që keni mbështetur?
Është filmi “El greko”, i cili ka shkuar rreth gjashtë milionë euro. Ishte shumë e vështirë për t’u realizuar me një shumë të tillë në Greqi. Nëse i njëjti film do të realizohej në Hollivud, ai do të kishte një kosto prej gjashtë bilionë eurosh.
Si përzgjidhen projektet filmike nga QGK-ja?
Ekziston një konsultë e përbërë nga pesë persona, specialistë të asaj fushe, të cilëve u është besuar përzgjedhja e projekteve të filmave që prezantohen në varësi të skenarit të tyre, si dhe aktiviteteve që ka kaluar ai regjisor. Kjo për të na siguruar që është një skenar i mirë dhe për të vërtetuar nëse regjisori di të bëjë kinema. Është fjala për filmat me metrazh të shkurtër, të gjatë dhe dokumentarë etj.
A ka prurje?
Po, ka shumë prurje. Madje, vitet e fundit është shtuar edhe një tjetër avantazh, për të mbështetur regjisorët e rinj. Kemi një program që nuk kërkonte shumë para për regjisorët e rinj, nga mosha 13 deri në 23 vjeç. Ekziston edhe një tjetër program, për filmat me metrazh të shkurtër, me prezencë të regjisorëve të rinj, apo programi ku filmat që do të prodhohen mbështeten nga televizioni publik grek. Për filmat me metrazh të gjatë, rregulli parashikon që të paktën 30 për qind të të ardhurave të shkojnë për regjisorët e rinj.
Çfarë i shqetëson, ose çfarë prekin më shumë regjisorët në produksionet e tyre?
Të gjitha temat pothuajse. Zakonisht, trajtojnë tematikat sociale, siç është rasti i filmit “Korrigjimi”, ku një grek vret një tifoz shqiptar, për një ndeshje futbolli.
A arrijnë regjisorët grekë të mbulojnë shpenzimet e filmit nga produksionet e tyre, si është ky treg?
Në fakt regjisorët grekë ia dalin me shumë vështirësi tregut. Janë shumë pak filma që arrijnë të mbulojnë shpenzimet e tyre. Për shembull për filmin “El greko” janë shitur rreth një milion bileta, një shifër rekord. Ndërsa të tjerë filma arrijnë të shesin vetëm pesë mijë bileta dhe kjo nuk është shumë e mjaftueshme.
A ka ndonjë shpjegim ky fenomen, pasi nuk jeni i pari që “ankoheni” për mospasje të tregut për filmin e pëlhurës, tek ne kineastët vuajnë për këtë?
Po them se ka një shpjegim të arsyeshëm, sepse njerëzit janë më komodë duke parë televizor. Nuk është e vështirë të blesh një film në DVD apo videokaseta për çfarëdo lloj filmi. Në vitet ’60-të njerëzit nuk ishin të pajisur të gjithë me aparatin televiziv, e kështu s’kishin zgjidhje tjetër, veçse kinemanë për të parë një film. Edhe filmi kishte një çmim shumë të lirë. Nuk është si në Tiranë që ka vetëm dy-tre kinema, por atje ka shumë në numër, që zakonisht përzgjedhin filma amerikanë.
Si janë marrëdhëniet e regjisorëve me kompanitë filmike në rajon, Evropë, a janë aktive coproduksion-et në Greqi?
Kompanitë janë të pakta dhe jo shumë të fuqishme, madje janë ato që kërkojnë ndihmë nga regjisorët. Sepse zakonisht këto kompani hedhin më shumë para për filmat komikë, pasi vetëm aty mund të fitojnë më shumë. Me kompanitë evropiane regjisorët grekë nuk kanë shumë bashkëpunim, sepse ata përzgjedhin regjisorë që janë më të famshëm se grekët. Regjisori ynë më i njohur është Theo Aggelopoulos, i cili u lidh me kompani nga Gjermania, Austria, por nuk ishte aspak e lehtë për filmin e tij të fundit.